Pas Jasir Selmanit, Vllaznia pritet të firmosë kontratat edhe me disa futbollistë të tjerë. Më konkretisht, bëhet fjalë për tre futbollistë malazezë, me të cilët ka kohë që është kontaktuar dhe ka mbetur vetëm arritja e akordit përfundimtar dhe hedhja e firmave në kontratë. Njëri prej këtyre tre futbollistëve është portieri Andrija Drgojeviç. 23-vjeçari u testua për dy ditë nga ana e stafit teknik të kuqebluve, që ka mbetur shumë i kënaqur me paraqitjet e tij dhe tashmë pritet vetëm hedhja e firmës. Këtë gjë e ka pranuar edhe trajneri Zmijani, i cili në njëfarë mënyre e ka pohuar akordin me këtë portier, që në këtë mënyrë do të garantojë katërkëndëshin e portës shkodrane.

Përveç tij, bisedimet janë zhvilluar edhe me dy lojtarë të tjerë. Njëri prej tyre luan në repartin e sulmit dhe administratori Kalamishi ka zbuluar në njëfarë mënyre edhe diçka mbi të, teksa bëhet fjalë pëër një futbollist që ka luajtur me ekipin e Petrovacit. Ndërkohë, flitet edhe për një mbrojtës qendre shtatëlartë, i cili në sezonin e fundit mësohet të ketë luajtur në Bosnjë. Këto janë tre futbollistët që brenda kësaj jave mendohet të firmosin me Vllazninë. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe trajneri Zmijani. Përveç këtyre tre malazezëve, në listën e stafit teknik të kuqebluve thuhet të jenë edhe dy futbollistë kosovarë, emrat e të cilëve nuk zbulohen. Me këto 5-6 blerje, skuadra shkodrane mendohet të jetë e kompletuar dhe e gatshme për sezonin e ri futbollistik, ku natyrisht që prej saj nuk mund të pretendosh shumë, pasi mundësitë e saj kaq janë.

Komentet