Ndeshja – Pjesa e parë e përballjes Deçiç-Vllaznia, përgjithësisht ka qenë e ekuilibruar, kjo edhe për faktin se të dyja skuadrat regjistruan raste për gol në portat respektive. Për kuqeblutë që në këtë pjesë luanin me formacionin më të mirë mund të shënonin kapiteni Shtubina si dhe sulmuesi i ri Çinari. Për të parin, pengesë u bë shtylla pingule e majtë e portierit malazez Paulliçiç, ndërsa për të dytin ishte vetë portieri vendas që me ndërhyrjen e tij në çastin vendimtar shpëtoi portën e tij nga pësimi i golit.

Ndërkohë, vendasit të mbështetur edhe nga tifozeria e tyre, me rritjen e lojës sidomos pas minutës së 20-të të pjesës së parë, sulmojnë më dendur në portën e Vllaznisë ku falë formës së mirë sportive të portierit malazez Dragojeviç, por edhe gatishmërisë së repartit të mbrojtjes rrjeta kuqeblu nuk preket më tepër së një herë.

Kjo i takon minutës së 33-të kur pas një krosimi nga e djathta ndërhyrja me kokë e shqiptaro-malazezit Camaj bën skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0 për Deçiçin. 45 minutat e dyta, si zakonisht në miqësoret përgatitore shoqërohen me ndryshime në formacionet e të dyja skuadrave gjë që ndihmon trajnerët për të vëzhguar nga afër rendimentin e secilit futbollist që ka në dispozicion.

Një gjë e tillë është aplikuar edhe nga trajneri Luan Zmijani, ku për momentin lojtarët e aktivizuar në këtë pjese loje u duk se do të justifikonin besimin e stafit, sidomos në rastin e talentit të mesfushës Denis Dyca, një zbulim i trajnerit Zmijani në pjesën e dytë të kampionatit të kaluar, ku gjuajtjen e tij “bombë” vetëm shtylla e ktheu prapë në fushën e lojës.

Por, vetëm një shtyllë në këtë pjesë loje ishte shumë pak, sepse rastet e tjera, ose ishin sporadike ose munguan fare. Ndërsa kundërshtari, edhe pse në nivel dhe traditë është shumë larg atij të Vllaznisë së Shkodrës, falë një shpirti më të madh luftarak, jo vetëm që prodhoi raste goli me shumicë, por në limitin e krejt takimit shënojnë edhe golin e dytë të sigurisë përmes një goditje standarde, që shfrytëzohet mjaft mirë nga futbollisti shqiptar pjesë e Deçiçit, Camaj duke e dërguar me kokë në rrjetën e portierit Sherri dhe kësisoj duke vulosur përfundimisht fitoren e pastër 2-0 të ekipit vendas.

Komentet