Eksperiencës së malazezit Darko Pavićević te skuadra e Vllaznisë duket se i ka ardhur fundi. Krerët e klubit shkodran mësohet se janë tashmë të vendosur që të mbyllin në mënyrë të parakohshme marrëveshjen me futbollistin, e cila për hir të së vërtetës zgjati vetëm pak ditë.
Për shkak të zgjedhjes së gabuar të drejtuesve teknikë dhe atyre administrativë, njëherësh edhe për mungesë të fatit të vetë futbollistit, i cili po vuan një dëmtim në gju, që mund ta mbajë jashtë fushës për një kohë të gjatë, drejtuesit e Vllaznisë po tentojnë të bindin Pavićević që të largohet me mirkuptim, madje duke i kërkuar lojtarit që të kthejë pas paradhënien e përfituar nga klubi, që përllogaritet rreth 8 mijë euro.
Kushti që veç prishjes së kontratës, të kthejë edhe shumën prej 8 mijë euro, duket se do të hasë në rezistencën e futbollistit. Ky i fundit do të dilte më i humburi nga kjo eksperiencë e hidhur, pasi jo vetëm që do të mbeste pa një ekip, kur mbetet vetëm një javë nga mbyllja e merkatos dhe ai është në kushte të disfavorshme teksa vuan dëmtimin, por njëherësh do të duhej të rekuperohej me shpenzimet e tij.
Ka qenë zyrtarizimi i libanezit Mohamad Kdouh që ka nxitur këtë kërkesë të drejtuesve të Vllaznisë për të larguar malazezin. Të zhgënjyer nga eksperienca me Pavićević, shkodranët vijuan kërkimet e tyre deri sa nënshkruan një marrëveshje 1-vjeçare me Kdouh, për të cilin pritshmëritë janë shumë të larta. Futbollisti 22-vjeçar më së fundmi është aktivizuar në kampionatin finlandez.

 

Komentet