Arsid Kruja, vetëm 5 ditë para se të mbyllet merkatoja, ende nuk ka një skuadër. Mesfushori shkodran ka patur jo pak vështirësi këtë verë për të gjetur një ekip ku të vazhdojë karrierën. Klubi arab Aj Hajer, që ka kartonin e tij, duket se nuk ka ndër mend ta përfshijë në radhët e veta, por po sheh mundësinë e huazimit sërish në ndonjë skuadër tjetër. 22-vjeçari, gjashtë muajt e parë të këtij sezoni, ka qenë i huazuar te Flamurtari ndërsa së fundi udhëtoi drejt Sllovenisë me idenë për të nënshkruar me një ekip atje, por edhe kjo tentativë nuk shkoi ashtu si duhet.

Në rrethana të tilla, Kruja ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer te Vllaznia dhe drejtuesit e kësaj të fundit kanë qenë dakord me këtë gjë, por nuk kanë qenë të këtij mendimi drejtuesit e klubit arab, ngaqë ata kanë ende probleme proceduriale gjyqësore me Vllazninë. Duket se ata ia kanë mbyllur derën e rikthimit te kuqeblutë dhe kjo do ta detyrojë Krujën të shohë për ndonjë opsion tjetër për vazhdimin e karrierës së tij. Shumëkush në janar mendoi se firmosja e tij me klubin arab ishte një veprim i nxituar dhe kështu po rezulton, megjithatë, deri më 31 gusht ka ende disa ditë në dispozicion dhe mbase mund të dalë ndonjë opsion më i mirë për të.

Komentet