Ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, bashkë me biznesmenin nga Korea e Jugut, Ji Uon Çoi, kanë marrë sinjalet e para të bashkëpunimit me drejtuesit më të lartë të klubit shkodran. “Panorama Sport” zbulon se, pas kërkesës zyrtare në bashki, ka ardhur një përgjigje nga kjo e fundit, teksa ditën e premte është lënë një takim me kryebashkiaken Voltana Ademi. Një takim i cili pritet që t’i hapë rrugë bashkëpunimit të Bashkisë së Shkodrës dhe biznesit, që ka shprehur interesimin për të qenë pranë klubit të futbollit Vllaznia.
I kontaktuar dje nga gazeta, ish-kapiteni i Kombëtares, i cili bashkë me biznesmenin koreanojugor kërkon të investojnë te Vllaznia, konfirmon takimin e nesërm me kryebashkiaken dhe e shikon me nota pozitive këtë hap të parë të ndërmarrë nga zonja Ademi. “E cilësoj si një gjest qytetarie veprimin që po ndërmerr kryetarja e re e bashkisë. Ajo po bën hapin e parë për ta kaluar përsëri klubin e Vllaznisë në dorë të biznesit. E vlerësoj shumë këtë nismë”, ka thënë Vata.

Panorama Sport

Komentet