Goli i shënuar në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Tiranës e ka bërë atë të shndërrohet në protagonistin e momentit te Vllaznia. Megjithatë, Polizoi Arbri nuk ka dëshirë të marrë rolin e “heroit”. Mbrojtësi berates, që këtë sezon luan për kuqeblutë, në prononcimin e tij për “Telesport.al” mjaftohet duke thënë se ka bërë vetëm detyrën.

Ka qenë një gol me shumë vlera për skuadrën, gol me të cilin morëm barazimin në këtë ndeshje ndaj Tiranës. Kuptohet që dëshira jonë ishte të fitonim, por në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, ndërsa në të dytën rregulluam shumë gjëra dhe arritëm të barazonim. Kam festuar shumë pas shënimit të golit, sepse kuptohet që në ndeshje të tilla, siç është kjo Vllaznia-Tirana, të shënosh gol është diçka shumë me vlerë dhe që mbahet mend gjatë,” – ka thënë ai.

I pyetur nëse ka ndonjë dedikim për atë gol të shënuar vetëm katër minuta para përfundimit të ndeshjes, Arbri është përgjigjur: “
Natyrisht që e kam një dedikim, sepse gjatë gjithë javës trajneri Alban Neziri ka punuar me mua në këtë drejtim dhe më ka thënë se, nëse do ketë ndonjë goditje dënimi në distancë, mund t’ia dalësh të shënosh. Dhe ia dola, prandaj goli shkon vetëm për të”. Polizoi Arbri është një nga blerjet e rëndësishme të Vllaznisë së këtij sezoni dhe në prononcimet e tij të mëparshme, ai është shprehur se ka ardhur në Shkodër vetëm prej tifozëve të saj të zjarrtë.

Për këtë arsye, pas shënimit të golit, ai ka shkuar menjëherë te tifozët. Duke folur në lidhje me këtë temë, 27-vjeçari, që më parë ka luajtur për Flamurtarin, thotë: “
Sigurisht që gëzimin e golit do ta ndaja me tifozët. E kam thënë se për mua, edhe kur kam qenë kundërshtar i Vllaznisë, ka qenë tifozëri e veçantë dhe prandaj kam zgjedhur këtë skuadër të luaj sivjet. Goli shkon edhe për ata, sepse treguan edhe njëherë tjetër se e duan me zemër këtë skuadër, prandaj u jemi shumë borxhlinj në rezultate atyre”

telesport.al ©
 

Komentet