Pasditen e sotme, në Fier do të zhvillohet ndeshja e Kupës së Shqipërisë, raundi i dytë kualifikues, mes Apolonisë vendase dhe Vllaznisë. Një transfertë, që në kampin shkodran është vlerësuar ashtu si duhet, ngaqë nuk pranohet humbja. Kjo, për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive, sepse një i tillë në ndeshjen e sotme do të ishte i pesti radhazi për kuqeblutë. Skuadra, në fakt, më shumë e ka mendjen te përballja e së shtunës për kampionat, me Bylisin, megjithatë edhe sfida me Apoloninë nuk është lënë mënjanë.

Gjysma e skuadrës, përfshi edhe pjestarë të stafit teknik, do të qëndrojë në Shkodër për të vijuar me stërvitjen dhe përgatitjet për sfidën e fundjavës. Në këtë grup bëjnë pjesë thuajse të gjithë titullarët e aktivizuar në ndeshjet e fundit. Ndërkohë, drejt Fierit, mëngjesin e sotëm ka udhëtuar trajneri Grima me pjesën tjetër të lojtarëve, të cilët nuk kanë luajtur shumë në sfidat e kaluara. Në këtë grup lojtarësh, megjithatë, bëjnë pjesë edhe emra të njohur. Kështu, porta do t’i besohet Sherrit, ndërsa në mbrojtje do të jenë kosovari Haxhaj e Beci, por edhe Gurishta me Hakajn.

Në mesfushë do të jenë edhe Haxhibuliç e Krymi, ashtu si kosovari tjetër, Lushtaku, pa harruar Çinarin e Dycën, ndërsa në sulm mund të luajnë dy blerjet e merkatos së verës, libanezi Kdouh dhe paraguajani Martinez. Përderisa do të luajnë edhe disa nga blerjet e bëra në merkato, natyrisht që nuk kemi të bëjmë me një formacion të dytë e, për këtë arsye, Vllaznia sot do të kërkojë të mos thyhet. Dhe, duke ndodhur kështu, natyrisht që do të hidhet një hap i sigurtë edhe për kalimin në çerekfinale të këtij kompeticioni, teksa ndeshja e kthimit me fierakët do të luhet në Pukë.

telesport.al 

 

Komentet