Vllaznia bëhet me lekë. Prefekti Paulin Radovani pasditen e djeshme ka firmosur vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës për kalimin e shumës prej 193 milionë lekësh në llogarinë e klubit dhe tashmë ka mbetur vetëm procedura e lëvrimit nga Thesari i shtetit tek llogaria e klubit kuqeblu. Në këtë mënyrë, ky fond shpëton pa u djegur, ngaqë, siç kemi bërë të ditur, sot ishte afati i fundit për të kryer këtë veprim.

Sikurse dihet, nga e hëna e më pas, Thesari i Shtetit nuk do të kryejë më asnjë veprim për vitin 2015. Një situatë e tillë në fakt kishte shqetësuar shumë edhe futbollistët kuqeblu, të cilët mund të mbesnin pa lekë deri në janarin e vitit të ardhshëm. Nisur nga kjo, mëngjesin e sotëm të gjithë futbollistët janë grumbulluar para zyrës së Prefektit, me idenë e zgjidhjes së kësaj çështjeje, por nga sa merret vesh, nuk ka qenë fare e nevojshme, sepse Radovani e ka firmosur atë shkresë në orët e vona të pasdites së djeshme.

Me të marrë vesh këtë lajm, futbollistët kanë marrë frymë lehtësisht, ndërkohë që shkresa e firmosur nga Prefekti më pas ka kaluar në Bashki. Kjo e fundit do të kalojë fondin prej 193 milionë lekësh të vjetra te Thesari dhe prej tij, në llogarinë e klubit “Vllaznia”. Odiseja e këtyre sorollatjeve duket se mori fund dhe futbollistët kuqeblutë do të marrin pagat e prapambetura.

 

Komentet