Dy ditë përpara ndeshjes me Teutën, Vllaznia ende nuk dihet se ku do të luajë. Diçka absurde kjo, por në fakt ky është realiteti. Takimi i javës së 11-të mes këtyre dy skuadrave është përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit të luhet ditën e mërkurë, në orën 14.00, por pa u përcaktuar ende stadiumi. Shkodranët, të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, të planifikuar për t’i luajtur në fushën e saj, për shkak të rikonstruksionit që po i bëhet stadiumit “Loro Boriçi”, i ka luajtur në stadiumin e qytetit të Pukës. Por ndërkohë, këtë javë edhe skuadra vendase e Tërbunit do ta luajë ndeshjen e saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë me Vllazninë, pikërisht në stadiumin e qytetit të Pukës.

Kësisoj, kuqeblutë kanë mbetur pa stadium. Pas kontakteve të fundit që drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës kanë pasur me ata të Federatës, u mendua që takimi Vllaznia- Teuta të luhej në fushën sportive “Reshit Rusi”, pasi institucioni i futbollit shqiptar të niste një tjetër grup inspektimi për të parë punimet e bëra dhe për të dhënë miratimin e luajtjes së kësaj ndeshje në atë fushë. Por gjatë ditës së sotme nuk ka ndodhur asgjë. Diçka e pakuptimtë, sepse vetë Federata kohë më parë udhëzoi drejtuesit e klubit shkodran për të bërë disa investime, në mënyrë që t’ua licensonte këtë fushë, por tashmë nuk u kthen përgjigje.

Ndoshta në këtë mes ndikoi padyshim edhe kontrata e pafirmosur e stadiumit “Loro Boriçi” mes Bashkisë Shkodër dhe Federatës. Në këto rrethana, drejtuesit e Vllaznisë, duke kuptuar që do ishte e vështirë për të luajtur në “Reshit Rusi”, kanë njoftuar edhe Federatën për t’i gjetur fushë për të luajtur, duke i dhënë opsionet e “Qemal Stafës” ose të stadiumit të Elbasanit. Por deri në orët e vona të mbrëmjes të së hënës, nga zyrat e këtij institucioni nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndoshta drejtuesit e saj kanë qenë të zëna me ndeshjet e ekipeve kombëtare, megjithatë edhe çështja e Vllaznisë duhet marrë në konsideratë.

Vërtet Qeveria dhe Federata vendosën të ndërtojnë “Loro Boriçin”, por kuptohet që duhej t’i ishin gjendur në krah klubit më të vjetër të futbollit në Shqipëri për t’i krijuar kushte për të luajtur pa ndjerë shumë shpenzimet, por edhe afërsinë gjeografike. Por askush nuk është kujtuar për këtë gjë dhe dy ditë përpara ndeshjes Vllaznia-Teuta, ajo ende nuk dihet se ku do të luhet.

 

Komentet