Vllaznia, por edhe futbollit, rikthehen pas 213 ditësh në Shkodër. Pas kalimit të rrogave nga Këshilli Bashkiak, që për hir të së vërtetës e ka rritur jo pak moralin e kuqebluve, “drita jeshile” tek Vllaznia ka ardhur edhe më bindëse me vendimin që Federata Shqiptare e Futbollit mori mesditën e së martës për të licencuar fushën sportive “Reshit Rusi” edhe për ndeshjet e Kategorisë Superiore. Ndeshja e fundit që Vllaznia ka luajtur në shtëpi është ajo e 18 prillit të këtij viti ndaj Flamurtarit, e vlefshme për javën e 31-të të Kategorisë Superiore. Sa për statistikë ndeshja u mbyll 1-1 me gola të shënuar nga Gilman Lika për kuqeblutë dhe Arsid Kruja për vlonjatët. Dy javë më vonë, më saktësisht më 3 maj, vetë Kryeministri Rama do të inauguronte nisjen e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi”, me synimin që impianti të ishte gati për ndeshjen e 8 tetorit ndaj Serbisë, por kjo nuk ndodhi dhe punimet vazhdojnë ende. Që nga ajo Vllaznia është detyruar të bredhë sa në Pukë apo në ndonjë qytet tjetër në kërkim të një fushe të lirë. Gjithsesi, lajmi për rikthimin e futbollit është pritur me shumë entuziazëm dhe pritet të ketë një dyndje tifozësh sot në “Reshit Rusi” për të ndjekur ndeshjen.

Kronologjia – Në fakt, shenjat e një vendimi të tillë kishin ditë që paralajmëroheshin nga burime jozyrtare brenda qeverisë së futbollit shqiptar. E megjithatë, duke mos pasur asnjë sinjal zyrtar deri mesditën e së martës, situata në Shkodër ishte konfuze. Në mungesë të “Ismail Xhemalit” të Pukës, drejtuesit e klubit nisen kontaktet për të gjetur një stadium tjetër, kryesisht me “Qemal Stafen” dhe “Elbasan Arena”. Ndërkohë në paqartësi të plotë ishte edhe vetë skuadra dhe stafi teknik të cilit i duhej një vendim i tillë në lidhje me programin stërvitor, përfshirë edhe problematiken e përballimit jashtë Shkodre. Mbërritja në qytetin verior e përfaqësuesve të FSHF-së në një rishikim të shpejtë të të gjithë detajeve më të fundit ku gjithçka ishte OK ka bërë që ato të mos vonojnë të japin verdiktin përfundimtar për aprovimin e të luajturit në “Reshit Rusi”, lajm ky që nuk vonoi të përhapej me shpejtësi në komunitet.

Falënderimi – Pas shtatë muaj pauze, qysh prej kohësh kur filluan punimet në “Loro Boriçi”, shkodranët do të kenë mundësi të shijojnë prej së afërmi skuadrën e zemrës pa patur nevojë të shtegtojnë në Pukë apo diku tjetër. Vendimi në fjalë natyrshëm që është pritur mjaft mirë edhe në linjën zyrtare të klubit Vllaznia dhe të qeverisjes vendore. Në këtë drejtim nuk ka vonuar bërja publike e një falënderimi që KF Vllaznia adresoi për FSHF-në. “KF Vllaznia falënderon Federatën Shqiptare të Futbollit që mori për bazë kërkesën tonë për zhvillimin e ndeshjes me Teutën në fushën sportive ‘Reshit Rusi’”, – thuhet në deklaratë.

Komentet