Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Shkodër janë zgjedhur edhe dy anëtarët e mbetur të Këshillit Mbikëqyrës të klubit të futbollit Vllaznia, që formuan kësisoj numrin 5 të tij dhe tashmë ky klub ka një Bord të ri. Në fakt nuk ka qenë e lehtë zgjedhja e tyre. Pasi ka dështuar në mbledhjen e kaluar, një gjë e tillë ka qenë shumë pranë edhe sot.

Këshilli Bashkiak Shkodër gjatë mbledhjes së sotme ku u miratuan anëtarët e Bordit dhe marrëveshja me FSHF.

Këshilltarët e majtë në fakt nuk kanë qenë dakord me zgjedhjen sërish të emrave të rradhës së kaluar dhe për këtë arsye, kanë kërkuar konsensus që dy anëtarët e mbetur t’i takojnë opozitës. Por nuk ka ndodhur kështu dhe e djathta që ka shumicën e Këshillit, ka vendosur për vazhdimin e votimit me emrat e hedhur në votim që herë tjetër. Por kjo gjë ka bërë që të majtët të bojkotonë mbledhjen megjithatë këshilltarët e djathtë kanë votuar. Por pikërisht këtu ka dalë një problem. Kanë votuar vetëm 24 vetë nga 26 minimumi që duheshin për t’u quajtur i rregullt ky proces dhe për ta plotësuar këtë numër atyre në fakt iu deshën plot një orë për të pritur.



I fundit, ai i 26-ti që ka votuar ka qenë në fakt një “i majtë” i cili ka thyer bojkotin e grupit të tij. Në fakt ai është figurë “e sportit” sepse bëhet fjalë për mjeshtrin e madh të basketbollit Renato Radoja i cili ka mbërritur në sallën e këshillit dhe ka votuar. Kjo ka bërë që votimi të jetë i rregullt dhe pas hapjes së letrave, ka rezultuar se më shumë vota kanë marrë Beniamin Nako dhe Sytki Muça. Ato do t’i bashkohen Shpëtim Qukut, Mark Laloshit dhe Admir Telit duke formuar pesëshen e anëtarëve të Bordit të ri të Vllaznisë që do të nisë funksionimin tashmë për të zgjidhur problemet që e shqetësojnë atë.

telesport.al ©

Komentet