Tafili 3

Vllaznia bën realitet edhe goditjen e dytë në merkato. Pas mbrojtësit Endri Vrapi, paraditen e sotme, drejtuesit e klubit kanë firmosur edhe me Alsid Tafilin. Mesfushori shkodran kishte ditë që përflitej për një rikthim të mundshëm te kuqeblutë, megjithatë vetëm sot kjo është bërë realitet. 28-vjeçari ka firmosur për një sezon e gjysëm me Vllazninë dhe menjëherë pas kësaj ka zhvilluar seancën e parë me ekipin. Vetë ai, në prononcimin e parë për mediat, është shprehur i kënaqur për këtë rikthim në shtëpi.

Tafili 1

“Arsyet pse vendosa të rikthehem te Vllaznia janë të qarta. Së pari, se jam më pranë familjes time. Së dyti, fakti që më ka telefonuar trajneri Cungu dhe më ka shprehur besimin e tij ka qenë shumë domethënës për mua. Së treti, do të luaj për Vllazninë dhe nuk ka shumë nevojë për komente mbi këtë gjë. Nuk kisha gjetur shumë hapësira te Partizani, ndaj, sigurisht që e kam pritur me shumë kënaqësi ftesën për të luajtur te skuadra e qytetit tim.

Tafili 2

Me drejtuesit e klubit kam rënë dakord fillimisht për një bashkëpunim deri në fund të sezonit, por kuptohet se kemi biseduar edhe për vazhdimësinë. Besoj se do të jem gjatë këtu. Erdha me dëshirë, sepse shoh që ka ndryshime te Vllaznia, mbi të gjitha në aspektin financiar, ngaqë bashkia ka garantuar. Kjo është shumë e rëndësishme për një futbollist. Besoj se do të bëjmë gjëra të mira me këtë skuadër,” – ka thënë Tafili.

Me ardhjen e Tafilit, reparti i mesfushës tashmë duket i blindur dhe vëmendja e drejtuesve të klubit e stafit teknik të Vllaznisë është përqendruar tek gjetja e një sulmuesi, megjithëse po flitet edhe për rikthimin e një shkodrani tjetër, Arsid Krujës.

 

Komentet