Shkodra është qyteti që furnizon me më shumë futbollistë 10 skuadrat e Kategorisë Superiore. Pas një vëzhgimi të "Panorama Sport" për afro 250 futbollistë të federuar për pjesën e mbetur të sezonit në Superiore, rezulton se Shkodra sfidon edhe kryeqytetin.
Plot 34 lojtarë nga qyteti verior janë pjesë e elitës, teksa militojnë në skuadra si Vllaznia, Skënderbeu, Partizani, Tirana, Kukësi, Laçi dhe Tërbuni. Vetëm te Flamurtari, Teuta dhe Bylisi nuk ka lojtarë nga qyteti që cilësohet si djepi i futbollit shqiptar.

Me këtë numër futbollistësh, vetëm kryeqyteti e kap Shkodrën. Tirana e 1 milion banorëve ka aktualisht në Superiore 34 lojtarë. Përveç ekipit bardheblu, ku luajnë 12 futbollistë të lindur në kryeqytet, gjithashtu nga Tirana ka lojtarë në skuadra si Partizani, Skënderbeu, Kukësi, Teuta, Laçi, Vllaznia, Flamurtari dhe Tërbuni.

Vetëm Bylisi i Ballshit nuk ka në përbërje një lojtar me origjinë nga kryeqyteti. Nga skuadrat e rretheve në Superiore, më shumë tiranas ka Tërbuni (5). E njëjta gjë edhe për shkodranët, teksa 4 prej tyre luajnë në Pukë.

Vlora dhe Durrësi Pas Tiranës dhe Shkodrës, në Superiore ligjin e bëjnë lojtarët nga dy qytetet bregdetare: Vlora dhe Durrësi. Nga shkolla e Flamurtarit janë 19 lojtarë të përfshirë në skuadrën vlonjate, Partizanin, Skënderbeun, Tiranën, Teutën dhe Bylisin.

Nga ana tjetër, Durrësi ka 15 futbollistë, shumica e të cilëve militon me Teutën, ndërsa të tjerë me Partizanin, Skënderbeun, Kukësin, Laçin, Flamurtarin dhe Tërbunin.

Interesant është fakti se portieri Orges Shehi dhe mbrojtësi Renato Arapi luajnë sezonin e tyre të gjashtë me Skënderbeun, teksa janë shpallur pesë herë radhazi kampionë.

Edhe pse është nga Durrësi, Arapi nuk ka luajtur asnjëherë me skuadrën e vendlindjes, Teuta.Mbrojtësi i majtë e ka nisur karrierën si profesionist te Dinamo, ndërsa më së shumti ka luajtur për Besën e Kavajës. Sa u përket qyteteve të tjera të Shqipërisë që furnizojnë Superioren, Elbasani përfaqësohet me 9 lojtarë, Korça me 8, Kukësi me 7, Fieri me 6, Laçi dhe Lezha nga 5.

Ndërsa qytete me traditë në futbollin shqiptar si Gjirokastra dhe Berati kanë respektivisht nga dy dhe tre lojtarë në elitë.

Panorama Sport

Komentet