Ekipi i Vllaznisë e ka lënë pas humbjen ndaj Skënderbeut dhe eliminimin nga Kupa. Nga dita e sotme ka nisur të mendojë për takimin shumë të rëndësishëm ndaj Flamurtarit. Jo më kot, vëmendja kryesore është përqendruar pikërisht te kjo ndeshje, sepse ka të bëjë shumë për të ardhmen e kuqebluve në kampionat. Për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij takimi, ditën e sotme është zhvilluar edhe një analizë me ekipin, ku kanë marrë pjesë edhe administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv, Grima.

Vllaznia stervitje

Po ashtu, është vendosur që skuadrës t’i krijohen kushtet e duhura edhe për grumbullimin në Shkodër, para nisjes për në Vlorë, në mënyrë që të ketë sa më shumë përqendrim te kjo sfidë. Ndërkohë, shqetësimi kryesor për stafin është padyshim gjendja shëndetësore e disa prej futbollistëve, të cilët munguan edhe në Korçë. Kështu, Sefa e Shtubina janë ende me gjendje gripale. Po ashtu, edhe Arbri vazhdon të ndiejë shqetësime në gju. Sakaq, e sigurtë është edhe mungesa e mbrojtësit Cicmil, që është i skualifikuar për kartonë.

Me këto probleme, natyrisht që shkodranët nuk do ta kenë aspak të lehtë të marrin një rezultat pozitiv ndaj një Flamurtari që duket shumë i motivuar, edhe pas kualifikimit për në gjysmëfinale të kupës. Vllaznisë, megjithatë, i duhen pikët dhe stafi teknik kërkon nga futbollistët që do të luajnë, që të bëjnë maksimumin në fushën e lojës, ashtu si ndaj Skënderbeut dhe Partizanit. Megjithatë, skuadra në ndeshjet jashtë ka treguar dobësi dhe pikërisht këto dobësi po kërkohet që të eliminohen në maksimum.

telesport.al  ©

Komentet