Vllaznia i ka përkeqësuar pozitat e saj pas humbjes 2-0 në Vlorë. Fitorja e ballshiotëve në Laç ka bërë që shkodranët t’u bëjnë shoqëri pukjanëve. Për momentin, janë dy favoritët kryesorë për t’u larguar nga Superiorja. Presioni sa vjen e rritet mbi kuqeblutë dhe këtë e pranon trajneri Armando Cungu. Në Vlorë, sikurse në transfertë ta tjera, skuadra nuk arrin të shprehet si duhet dhe të marrë ndonjë pikë. Kishte pritshmëri më të mëdha në transfertën vlonjate, por kuqezinjtë e Flamurtarit janë përforcuar dukshëm, nuk falin. Duke folur pas ndeshjes me bregdetarët, Cungu tha mes të tjerash:

Untitled

“Kjo humbje na i ndërlikon punët, nuk diskutohet. Është e vërtetë që nuk luajmë mirë jashtë fushe, por nuk duhet të harrojmë se Flamurtari pati fat, sepse shënoi golin e parë në sulmin e parë të rrezikshëm, në fundin e pjesës së parë. Në pjesën e parë nuk patëm asnjë problem dhe Flamurtari nuk na rrezikoi asnjëherë, por ai gol bëri diferencën. Sa nisi pjesa e dytë erdhi goli tjetër dhe nuk patëm as kohën që të provonim të barazonim. Prisja një rival më të frikshëm dhe ndoshta kjo bëri që ta merrnim me frikë ndeshjen, por Flamurtari nuk shkëlqeu. Ndoshta ishim ne dobët.

Mbijetesa? Duhet durim, sepse ka ende shumë ndeshje dhe shumë punë përpara. Do të vuajmë deri në javën e fundit, nuk është se prisnim që ta siguronim që tani qëndrimin në Superiore. Mungesa e qendërmbrojtësit Cicmil? Natyrisht që ndikoi, sepse me Vrapin ka krijuar një dyshe solide në qendër. Sot luajti Rudoviç, lojtar shumë i ri dhe pa eksperiencë, por nuk është problemi vetëm te mungesa e Cicmilit, sepse e gjithë skuadra nuk funksionoi.


Disa lojtarë e tepruan me veprime egoiste, ndërkohë që duhet të heqim dorë nga ky mentaliteti i krijuar prej vitesh, që Vllaznia i lejon kundërshtarët të luajnë. Kjo nuk duhet të ndodhë, duhet agresivitet në fushë dhe duhen marrë pikët. Bëmë gabime në ndërtim loje e në pasime elementare, janë gabime të trashëguara, që përsëriten dhe që duhet kohë për t’i ndryshuar gjërat. Na duhen pikët, nuk ka intereson fare loja e bukur”. 

telesport.al ©

Komentet