Situata e krijuar pas ndeshjeve të javës së fundit të Superligës, natyrisht që i ka ndërlikuar jo pak pozitat e Vllaznisë në renditje. Për këtë shkak, natyrshëm që asaj i duhet ta fitojë me çdo kusht takimin e radhës, ndaj Laçit, që do të luhet ditën e shtunë, në “Reshit Rusi”. Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe kundërshtari do të kërkojë pike, por jo vetëm kaq. Te formacioni kuqeblu pritet të ketë mungesa lojtarësh. Kështu, reparti i mbrojtjes do të ketë sërish futbollistë që mungojnë. Vrapi ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë dhe për këtë arsye është i pezulluar për këtë takim.

Untitled

Ende nuk dihet se kush do të luajë përkrah malazezit Cicmil, në qendër të mbrojtjes. Trajneri Cungu ka një dilemë për të aktivizuar sërish shqiptaro-malazezin Rudoviç apo për të futur Pjeshkën, i cili edhe më parë ka luajtur në këtë pozicion, madje me sukses. Kjo është vetëm njëra dilemë. Tjetra është ajo e krahut të majtë. Marku u dëmtua në brinjë në takimin me vlonjatët dhe ende nuk ka një vendim nga ana e stafit mjekësor nëse do të jetë në fushë të shtunën, apo jo.

Untitled

Përveç ndryshimeve në mbrojtje, priten ndryshime edhe në mesfushë, por edhe në sulm. Kuqeblutë ndaj kurbinasve mendohet të luajnë me dy sulmues, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të merret fitorja. Të paktën kjo është ideja, megjithatë deri në ditën e ndeshjes shumë gjëra mund të ndryshojnë. Ajo që mbetet pikë referimi është vetëm objektivi, për të marrë me çdo kusht tri pikët në këtë takim. telesport.al ©

Komentet