Ndonëse kuqeblutë ishin të angazhuar maksimalisht për të marrë një rezultat pozitiv, nuk ka ndodhur kështu. Ata kanë zhgënjyer duke zhvilluar ndoshta ndeshjen më të dobët të këtij sezoni, në fund të së cilës është fiksuar rezultati 0-2, në disfavor të vendasve. Trajneri i ekipit shkodran, Armando Cungu është parë tejet i dëshpëruar në fund të këtij takimi dhe ka lëshuar jo pak akuza për futbollistët e tij. “Kur ata vendosin të luajnë si “gjeneralë” vjen kjo paraqitje. Sa herë që tek Vllaznia secili ka bërë detyrën e tij duke luajtur si “ushtarë”, kemi patur rezultate pozitive. Kjo humbje nuk mund të kalohet lehtë”, u shpreh Cungu pas ndeshjes. Në fakt, kjo disfatë, nuk do kalohet krejt lehtë.

Ndonëse dita e sotme ka qenë si zakonisht ditë pushimi, trajneri ka vendosur të zhvillojë analizën e ndeshjes, por edhe një mbledhje për të gjetur shkaqet e humbjes së fundit. Për këtë arsye, janë lajmëruar të gjithë futbollistët që sot në orën 17:00 të paraqiten në ambjentet e klubit. Me shumë siguri tonet e kësaj mbledhje nuk do jenë të zakonshme sepse Vllaznia në fakt në vend që të merrte një rezultat pozitiv ndaj durrsakëve dhe të ishte e qetë për vazhdimin e kampionatit, tashmë ka ndërlikuar çdo gjë dhe javët e ardhshme do të bëhen edhe më të vështira.



 

Komentet