Te Vllaznia do të ketë gjoba për futbollistët, pas ndeshjes së humbur ndaj Teutës. Propozimi i ardhur nga ana e trajnerit Cungu ka gjetur edhe mbështetjen e drejtuesve të klubit dhe tashmë pritet vetëm të mësohet sesa do të jetë shuma e këtij ndëshkimi. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar pasditen e djeshme. Ndonëse ka qenë ditë pushimi, trajneri ka lajmëruar të gjithë futbollistët për mbledhje dhe, po ashtu, edhe dy drejtuesit e klubit, administratorin Gjyrezi dhe drejtorin sportiv, Grima. Mbledhja dhe analiza e ndeshjes janë zhvilluar në ambientet e fushës “Reshit Rusi” dhe ka zgjatur rreth 1 orë.

Nga sa mësohet, tonet e kritikës për futbollisët kanë qenë të ashpra nga ana e drejtuesve. E zhvilluar pa praninë e gazetarëve, mbledhja ka patur edhe konkluzionet e veta, që janë bërë të ditura nga ana e Cungut, i cili ka thënë: “Natyrisht që nuk mund ta kalonim aq lehtë humbjen me Teutën dhe për këtë arsye zhvilluam një mbledhje me skuadrën, por ajo që ra në sy ishte se asnjëri nga futbollistët nuk ishte në gjendje të shpjegonte shkaqet e kësaj humbje. Në këto kushte, sigurisht që dikush duhet të mbajë përgjegjësi, kuptohet si në aspektin personal, secili prej sportistëve, por edhe si ekip.


Si rezultat i kësaj paraqitje krejtësisht të papranueshme, iu kam propozuar drejtuesve të klubit, të cilët më kanë mbështetur, që secili prej futbollistëve të gjobitet. Kuptohet që Cicmil do të marrë gjobën më të rëndë për veprimin e bërë, shoqëruar me daljen me karton të kuq nga fusha. Ashtu siç kërkojnë që klubi të jetë korrekt me ta, si me rrogat, edhe me premiot, që i kanë marrë, ashtu duhet të marrin edhe gjobë për mosimpenjim dhe për paraqitje të papranueshme në fushën e lojës. Shpresoj që kjo gjobë të jetë efektdhënëse”.



 

Komentet