Pasditen e sotme, në ambientet e Bashkisë së Shkodrës, pritet të organizohet një takim shumë i rëndësishëm, sa i takon të ardhmes së Vllaznisë. Nga sa merret vesh, në zyrën e kryebashkiakes Ademi pritet të jenë të gjithë drejtuesit e klubit dhe pjesëtarët e stafit teknik, me të cilët do të bisedohet për të ardhmen e kësaj skuadre. Në këtë takim do të mësohet përfundimisht e ardhmja e trajnerit Cungu, teksa ai pritet t’i thotë “po” ofertës së drejuesve të klubit, për ta vazhduar projektin që ka nisur.

Po ashtu, do të bisedohet edhe për mënyrën si duhet ndërtuar skuadra për sezonin e ri, cilët do të jenë lojtarët që do largohen dhe ata që do të tentohet të ofrohen. Fakti që në takim do të jetë edhe kryebashkiakja, e cila “de facto” është edhe presidentja e klubit, do të thotë se aty do të jepet garancia financiare për të ardhmen. Në media të ndryshme qarkullojnë zëra për afrimin e donatorëve te Vllaznia, por nga sa merret vesh nuk ka asnjë të tillë, që është shprehur i gatshëm për të sponsorizuar në këtë klub.

Kështu që të gjitha financat, të cilat duhen për këtë sezon, do të përballohen vetëm nga Bashkia e Shkodrës. Të paktën kështu është deri më tani, sepse rrugës mund të ketë edhe zhvillime të tjera. Megjithatë, e rëndësishme është që te Vllaznia të ketë një projekt serioz dhe, për këtë arsye, Cungu duket thuajse i vendosur për të vazhduar. Gjithsesi, çdo gjë do të zyrtarizohet pasditen e sotme.

 

Komentet