Te skuadra shkodrane në çdo moment po priten lajme të reja, sa u takon përforcimeve, por në fakt prej saj mund të ketë edhe largime. Njëri prej tyre është mesfushori 21-vjeçar, Arlind Kalaja. Që në janar u përfol për një kalim të mundshëm të tij te Pescara, pas një prove të suksesshme, që zhvilloi atje. Dhe duket se momenti ka ardhur. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se brenda pak ditësh ai mund të lërë Shkodrën, por ende nuk dihet saktësisht destinacioni. Kjo, ngaqë tashmë në skenë ka dalë edhe një tjetër variant për transferimin e tij pikërisht në Hollandë.

Gjithsesi, janë menaxherët, ata që po merren me këtë çështje. Ndërkohë, nëse Kalaja do të largohet, ai do të shfrytëzojë një opsion që ka në kontratën e tij aktuale me Vllazninë, e cila është 1+1, me të drejtë rishikimi mes palëve. Për këtë arsye, ai mund t’i japë lamtumirën klubit që e bëri të njohur. Për drejtuesit kuqeblu sigurisht që një largim i tillë nuk është i mirëpritur, megjithatë po shohin të gjejnë zëvendësuesin, i cili duket se është gati: Arsid Kruja. Ai pritet të riveshë fanellën e Vllaznisë.

 

Komentet