Drejtuesit e Vllaznisë kanë bërë sot realitet blerjen e parë të tyre. Ai është Olsi Gocaj. Shkodrani, pas një sezoni të suksesshëm tek ekipi i Laçit, rikthehet “në shtëpi”. Paradrekën e sotme, ai ka arritur akordin me administratorin Gjyrezi dhe më pas ka hedhur firmën në kontratë. Madje, sa i takon kësaj të fundit, duhet thënë se lojtari dhe klubi kanë rënë dakord për një kontratë dyvjeçare. Gocaj ka qenë një nga kërkesat e trajnerit Cungu, për ta patur në skuadër, dhe drejtuesit e klubit ia kanë plotësuar atë. Të dy kanë bashkëpunuar për 6 muaj te Laçi dhe kjo do të thotë se trajneri aktual i kuqebluve ia di vlerat.

Për këtë arsye, Cungu dëshiron ta ketë Gocajn edhe te Vllaznia. Me ardhjen e Gocajt, plotësohet në këtë mënyrë vendi i mbetur bosh në krahun e djathtë të mbrojtjes, nga largimi i beratasit, Arbri. Me ardhjen e këtij futbollisti ka nisur zyrtarisht merkatoja e Vllaznisë, sepse përveç rinovimeve të kontratave me futbollistët aktualë, po synohet edhe marrja e lojtarëve të tjerë cilësorë. Sa u takon rinovimeve, sot ka firmosur kontratën e re edhe portieri Erind Selimaj, po ashtu ka rinovuar edhe mesfushori Ardit Krymi.

 

Komentet