Përgatitjet e Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik po shoqërohen me zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore. Pas dy të parave, të zhvilluara në Mal të Zi, ka ardhur momenti për të zhvilluar një të tillë edhe në Shkodër. Dhe ajo do të luhet të mërkurën, në orën 18:00. Kundërshtari i kuqebluve do të jetë Deçiç, skuadra e Tuzit, me të cilën shkodranët luajtën edhe para 10 ditësh në Mal të Zi dhe fituan 2-1, me gola të shënuar nga Shtubina dhe Tafili. Tashmë përballja e kthimit do të zhvillohet në Shkodër, por jo në “Loro Boriçi”.

Tifozë të shumtë kanë menduar dhe dëshiruar që kjo ndeshje të luhej në stadium, por nuk do të ndodhë kështu. Ajo do të zhvillohet në fushën “Reshit Rusi”, pas dy ditësh. Edhe në këtë miqësore do të provohen futbollistë të huaj, që janë aktualisht në stërvitje, ose pritet të vijnë. Miqësorja e së mërkurës do të jetë e treta për Vllazninë në këtë periudhë, teksa dy të parat i ka fituar; 2-1 ndaj Deçiçit dhe 1-0 ndaj Mornarit.


 

Komentet