Loja e mirë e shoqëruar edhe me fitoren e pastër 2-0 ndaj Flamurtarit, por në përgjithësi edhe starti i mbarë i kampionatit, ku në tre ndeshje Vllaznia ka arritur të marrë pesë pikë, duke pasur përballë tre skuadra me pretendime, ka krijuar një klimë shumë pozitive në opinionin sportiv shkodran. Me këtë ritëm kaq pozitiv të skuadrës së tyre, fansat kuqeblu kanë filluar ta klasifikojnë skuadrën shkodrane jo më për mbijetesë siç ishin mësuar ta shikojnë vitet e fundit, por një skuadër shumë më potente, autoritare dhe e denjë për të qenë e barabartë mes më të mirave të kampionatit. Një gjë e tillë natyrisht që ka ndikimin e vet pozitiv te futbollistët shkodranë, sepse i motivon ata të bëjnë më të mirën e tyre për ndeshjet në vazhdim, por në të njëjtën kohë ka edhe një anë tjetër të medaljes që ndonjë eufori apo vetëkënaqësi e mundshme në gjirin e tyre të japë efektin e kundërt në lojën e kuqebluve.Për teknikun Armando Cungu, edhe pse debutues me vetëm një pikë në tre ndeshje, kundërshtari në fjalë duhet konsideruar edhe shumë më i vështirë se ato që u lanë pas. “Me sinqeritet e shoh një ndeshje shumë më të vështirë ndoshta se këto të tjerat që kaluam. E shoh më të vështirë, sepse duhet t’i ruhemi në maksimum euforisë dhe për këtë i bëj thirrje skuadrës që të jetë shumë e kujdesshme që të mos kalojë në vetëkënaqësi apo në eufori”, shprehet Cungu për “Sport Ekspres” në prag të kësaj ndeshje, e cila për Vllazninë është shumë e rëndësishme përsa i përket krijimit të stabilitetit në rezultate dhe garancisë së vazhdimësisë. Në këtë mënyrë, për të arritur rezultatin e dëshiruar, njëshi i pankinës kuqeblu është i mendimit që ato si skuadër duhet të jenë shumë serioz sepse mundësitë për të bërë një kampionat të mirë, të bukur ashtu siç edhe po e tregojnë në këtë nisje të kampionatit.

Komentet