Në pamundësi për të gjetur një kundërshtar të denjë për shkak të motit të ftohtë në Ulqin, Vllaznisë iu desh të provonte forcat përballë ekipit U-19 të Akademisë.
Në fakt, në fushë nuk pati aspak rivalitet, sikurse mund të kuptohet edhe nga rezultati 12-1 në favor të ekipit të parë. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 5­-0, me gola nga Vecaj, Pjeshka, Pepa, Shtubina dhe Gocaj. Trajneri Armando Cungu aktivizoi tre formacione të ndryshme në këtë takim, ku secili prej tyre luajti nga 30 minuta, duke u dhënë mundësi të gjithë futbollistëve të tregonin vlerat e tyre.
Në pjesën e dytë protagonist ishte sulmuesi Dibra, autor i pesë golave, ndërsa dy të tjerët u shënuan nga Dyca dhe Krymi. Për 19-vjeçarët e Elvin Beqirit, golin e nderit e shënoi Hoxha në minutën e fundit.
Në këtë ndeshje u aktivizua edhe mbrojtësi belg Landri Muleno, i ardhur për provë. Nga sa mësohet, lojtari ka treguar një përgatitje të mirë teknike e taktike, por ka shfaqur probleme sa i takon përgatitjes fizike, pasi nuk ka luajtur rregullisht muajt e fundit. Ai do të qëndrojë edhe disa ditë në provë, e më pas do të vendoset për fatin e tij.

Panorama Sport

Komentet