Një orë në dispozicion të tifozëve shkodranë. Ernmest Gjoka ka bërë sot diçka mjaft të veçantë, që e kishte bërë edhe në Vlorë vite më parë, sepse në Facebook, në faqen zyrtare të Vllaznisë, ka shkruar në lidhje me gjithçka e kanë pyetur tifozët, natyrisht në lidhje me çështje që i përkasin trajnerit.

SHERRI – I pyetur nëse Vllaznia duhet të marrë portier me emër, sepse ka një portier pa eksperiencë në portë dhe ka pësuar shpesh gola të evitueshëm, Gjoka sqaroi: “Kemi Selimajn dhe Sherrin. Për këtë të fundit po investojmë shumë, sepse është një i ri shkodran që duam ta fitojmë për të ardhmen. Duhet vetëm pak durim dhe Vllaznia do të fitojë një portier të mirë”.

SULMI – A ka siguri Vllaznia me dy sulmues si Ribaj e Sukaj? “Me ardhjen e Sukajt besoj se reparti i sulmit do ketë rezultat. Kemi Sukajn e Ribajn, por edhe Pusin, i cili po rritet dita-ditës”.

SKEMA – Në lidhje me avancimin e Orelesit në mesfushë dhe skemën mbrojtëse, Gjoka shpjegon: “Nëse ekipi forcohet psikologjikisht e fizikisht, skema nuk ka shumë rëndësi. Duhet të ringrihemi në këto aspekte që përmenda”.

SULMUES NIVELI – A i duhej Vllaznisë një emër me peshë në sulm? Gjoka shpjegon: “E mira nuk ka fund, por një sulmues i mirë kushton shumë dhe klubi bëri një sforcim të madh në janar për të afruar 4 lojtarë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm”.

TIFOZËT E ZHGËNJYER – Gjoka përgjkigjet edhe në lidhje me zhgënjimin e tifozerisë: “Po mundohemi dhe po japim gjithçka që të kthehemi aty ku e meriton Vllaznia. Po mundohemi të ndryshojmë mentalitet dhe të ecim përpara, kemi nevojë për të gjithë ju, që të na mbështesni”.

FORMACIONI ME TË PAPREKSHËM NË PËRBËRJE – A ka të fortë te Vllaznia, që luajnë me detyrim? “Po mundohemi t’u marrim më të mirën e mundshme të gjithëve, po krijojmë idenë që luan ai që e meriton dhe për këtë të jesh i bindut, askush nuk i fut hundët në formacion”.

FUSHAJ PRESIDENT – Tifozët duan kthimin e Fushajt, por Gjoka nuk futet në tema të tilla: “Këtu nuk flas dot unë, jam thjesht trajneri”.

AFRIMET – Si ishte miqësorja e parë? “Të tre mbrojtësit e kaluan testin, treguan se kanë shumë eksperiencë”.

PUSI – Sulmuesi Pusi nuk ishte në listën për në Mal të Zi: “Pusi është lojtar i ri, por e kam gjithnjë në fokus dhe është pjesë e jona”.

Komentet