Nga ana tjetër, shqetësime ka edhe për Denis Pjeshkën e Florind Bardullën, të cilët ende nuk mund të thuhet se do të jenë të premten në fushë. Gjatë përgatitjeve të fundit, është vënë re se Gjoka ka krijuar një bindje se kush do të jetë nga minuta e parë në sfidën e së premtes. Një nga pikëpyetjet e vetme është nëse do të jetë në këtë përballje nga minuta e parë nigeriani Nuredin Orelesi. Mesfushori ka humbur fazën përgatitore, por për Gjokën shihet titullar.



 

Ai po projektohet për të qenë në fushë, edhe pse mbetet për t’u parë deri nesër se çfarë do të ndodhë. Nëse Orelesi do të jetë i gatshëm, atëherë ai do të rreshtohet në mesfushë me Krymin ose Tafilin. Por më tepër për qendrën e mesfushës për këtë takim shikohen si të projektuar dyshja Tafili e Krymi.

Në portë do të vijojë Sherri, ndërsa në krahun e djathtë do t’i besohet Ruqit. Qendra përbëhet nga dy lojtarët e ardhur rishtas në ekip si Malota e Berisha. Edhe nga e majta pritet që të jetë afrimi tjetër, Mersini. 

 

Mesi i fushës do të përbëhet tërësisht nga shkodranë. Lika e Çinari do të jenë nga krahët, ndërsa në qendër treshja Tafili, Krymi e para tyre Vucaj. Sulmi do t’i besohet shkodranit të sapo bashkuar, Xhevahir Sukaj, i cili shihet si shpresa e madhe e Vllaznisë në pjesën e dytë të sezonit. Të gjithë në Shkodër presin golat e tij dhe një nisje të mbarë të vitit 2018.

INTERESIMI

Ndeshja e parë e këtij viti, që do të zhvillohet të premten në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Kukësit, pritet me interes të madh në Shkodër. Lëvizjet e fundit në merkato kanë rikthyer entuziazmin në radhët e tifozërisë shkodrane. Kjo e fundit pret me interes debutimin në fushë të Sukajt, Malotës, Berishës e Mersinit, ardhje këto që janë vlerësuar si shumë pozitive.
 

Numri i tifozëve të pranishëm në këtë ndeshje pritet të jetë më i madhi i këtij sezoni dhe pa dyshim që ata do të jenë një mbështetje e fuqishme për Vllazninë, duke e shtyrë skuadrën drejt fitores.

BILETAT

Klubi Vllaznia ka bërë të ditur se biletat e kësaj ndeshje do të dalin në shitje që paraditen e së enjtes. Edhe çmimet e biletave janë të njëjta si në ndeshjet e kaluara, pra me vetëm 2 mijë lekë të vjetër në 80 për qind të stadiumit, pikërisht në tribunat, C, D dhe E. Ndërsa që çmimet e biletave në tribunën qendrore janë normalisht më të shtrenjta, teksa variojnë nga 5 mijë.

Komentet