Për ndeshjen me Partizanin, tekniku Gjoka nuk do të ketë shërbimet e nigerianit Nuredin Orelesi. Kartoni i verdhë i marrë në sfidën e së shtunës në Kamzë, ishte i katërti për të, që do të thotë se është i skualifikuar ndaj Partizanit. Vlerësimi për atë që nigeriani jep në fushë është pozitiv, por jo gjithçka shkon si duhet me Orelesin në lidhje me faullet e shumta që shkakton gjatë ndeshjeve, ku në disa raste janë edhe tej normales. Një gjykim i tillë vjen edhe nga specialistët e futbollit shkodran, të cilët tërheqin vëmendjen që lojtari të jetë më i kujdesshëm në këtë drejtim, pasi kështu dëmton edhe ekipin. Mund ta dëmtonte më shumë, nëse gjyqtari do t’i nxirrte të verdhën e dytë për një apo dy ndërhyrje të dyshimta.
Edhe pse mungesa e tij konsiderohet e rëndësishme, tekniku Gjoka duket se e ka gati zëvendësuesin. Ai është Alsid Tafili, i cili luan pikërisht në atë pozicion dhe forma sportive e tij është optimale. U pa qartë edhe në ndeshjen me Teutën, ku Tafili ishte titullar. Në këtë ndeshje Orelesi u tërhoq në prapavijë, duke zëvendësuar Malotën, dhe në vend të tij luajti Tafili. Ky duket se është verditki i teknikut kuqeblu për këtë ndeshje, por duhet pritur seanca e së martës për të parë realisht çfarë do të vendosë ai në këtë pikë.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, klubi ka bërë të ditur se shitja e biletave të kësaj ndeshje do të nisë që sot në orën 10.00 kur do të hapen sportelet dhe ato do të jenë të hapura gjatë gjithë ditës dhe po ashtu edhe nesër deri në orarin e ndeshjes. Në këtë njoftim po ashtu bëhet e ditur se çmimet e biletave do të jenë të njëjta si ato të ndeshjeve të fundit. Në të gjitha tribunat e tjera përveç qendrores, një biletë do të kushtojë vetëm 2 mijë lekë të vjetra. Ndërsa në tribunën qendrore, çmimet janë 5 mijë lekë në pjesët A dhe B të saj dhe 10 mijë lekë në pjesën VIP.

Komentet