Shumë premtime për riorganizim, privatizim dhe ringritje në lavdinë që i takon. Megjithatë, situata aktuale te Vllaznia është krejt ndryshe. Asnjë vendim i rëndësishëm për të ardhmen e klubit. Në Shkodër mbizotëron një heshtje mbytëse, për të gjithë ata tifozë që vuajnë për rënien e klubit. Pas shkarkimit të ish-administratorit Gjyrezi dhe bordit drejtues, gjithçka mbetet ende për tu vendosur. Nga personi që do të ketë tagrin e drejtimit, funksionimit dhe menaxhimit të klubit dhe deri te Bordi i ri Mbikëqyrës, që do të marrë vendimet e rëndësishme për të ecurinë e kuqebluve. Për momentin janë përfolur shumë emra, por asgjë nuk është bërë konkrete.
Handikapi mbetet i njëjti që në vitet e fundit ka krijuar jo pak situata të pakëndshme te Vllaznia. Për të nisur punën për riorganizimin e klubit, duke pritur data 26 qershor, kur do të mblidhet edhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës, që duhet të miratojë propozimet për administratorin dhe bordin e ri. Deri më atëherë, klubi është në ajër. Të gjitha vendimet janë peng i Këshillit Bashkiak, që duhet të japë dritën jeshile, për të nisur më pas punën. Plot një muaj heshtje në Shkodër, edhe pse një luks të tillë nuk e kanë dhe deri në fund të këtij muaji mund të jetë shumë vonë. Edicioni i ri i Kategorisë së Parë nis më 9 shtator dhe te Vllaznia do të kenë vetëm një muaj kohë të organizojë strukturat, stafin teknik dhe skuadrën, për të synuar rikthimin e menjëhershëm në elitë.

Komentet