Ditën e djeshme është prezantuar zyrtarisht drejtori sportiv i Vllaznisë, Engin Firat i cili së bashku me Hasan Likën do të kenë për detyrë të rikthejnë sa më shpejtë në Kategorinë Superiore skuadrën shkodrane. Para mediave, Firat ka treguar arsyet që e shtynë drejt Vllaznisë, ndërkohë që ka shpalosur edhe planin që ka për rindërtimin dhe rikthimin e Vllaznisë.
“Kam qenë në Shkodër para 5 apo 6 vitesh. Qyteti ka ndryshuar shumë. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Dua të vlerësoj faktin se Shkodra jeton për futbollin, por kam vërejtur se është një situatë e trishtueshme. Kjo shihet qartë, pasi ekipi ka rënë nga Kategoria dhe këtë situatë duhet të ndryshojmë sa më shpejt. Jo vetëm unë dhe skuadra, por të gjithë bashkë duhet ta ndryshojmë. Kam planin afatshkurtër që është të rikthejmë Vllazninë në Superiore dhe planin afatgjatë të punojmë me talentet, pasi zona këtu njihet për këtë gjë. Do të punojmë fort për t’i realizuar këto dy projekte që i kemi vendosur vetes. Kam ardhur këtu se kam shumë miq dhe ishte çështje kohe. Jam i përfshirë dhe në disa projekte internacionale, prandaj nuk kam ardhur si trajner këtu. Kisha oferta dhe nga Azia si trajner, por si teknik duhet të jesh gjithë kohën i angazhuar, prandaj nuk pranova të vij. Në këtë moment mora ofertën nga Vllaznia dhe pata një telefonatë me Kryetaren Ademi. Më habiti entuziazmi i saj, por dhe ishte një mundësi e mirë, pasi mund të isha më fleksibël. Marrëveshja është arritur tashmë. Do të jem shumicën e kohës këtu, por do të lëviz në ditë të caktuara. Kjo skuadër momentalisht nuk e ka brumin për të qenë kampione, do të punojmë për të forcuar skuadrën. Kemi një trajner me eksperiencë, por do jetë e vështirë. E kemi filluar punën me vonesë dhe nuk është e lehtë as për trajnerin e as për mua e Licin të gjejmë lojtarët e duhur. Duhet të ndryshojmë dhe mentalitetin e lojtarëve, duhet t’i ngulisim në kokë se do të jenë kampionë të kësaj kategorie”, u shpreh Firat.

Komentet