Bashkia e Shkodrës ul buxhetin për Vllazninë. “Panorama Sport” zbulon se në mbledhjen e fundvitit, që është programuar nga Këshilli Bashkiak, të miratohet fondi për 2019-ën. Është parashikuar që projektbuxheti për klubin këtë herë të jetë 450 milionë lekë të vjetër. Duke e krahasuar me një vit më parë, shënon një ulje prej 100 milionë lekësh të vjetër. Rënia në Kategorinë e Parë do të ketë ndikim edhe në financa. Kjo duket logjike, pasi në ndryshim nga edicioni i Kategorisë Superiore, këtë herë pagat e lojtarëve janë gati të përgjysmuara. Drejtuesit pas rënies në inferiore vendosën që të rishikonin kontratat me futbollistët, si edhe të ulnin shpenzimet e tjera.

E në kësi kushtesh, një fond prej 450 milionë lekësh mund të quhet i mjaftueshëm nga Vllaznia. Burime të gazetës zbulojnë se fondi që pritet të miratohet do të ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë do të lëvrohet brenda tremujorit të parë të vitit të ri, ndërsa pjesa e mbetur pas qershorit të 2019- ës, që do të shërbejë praktikisht për merkato dhe fazë përgatitore. Me shumë gjasa, pjesa e parë mund të jetë e mjaftueshme për të përballuar fundin e këtij edicioni, ku Vllaznia synon rikthim në elitë. Ky është plani paraprak, pasi gjithçka do të vendoset në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, e cila si pikë të diskutimit do të ketë edhe futbollin.

SHTESAT – Gjatë viteve që Vllaznia është drejtuar prej Bashkisë Shkodër, e cila vazhdon të jetë pronarja e vetme e klubit të futbollit, shumat që janë hedhur kanë qenë të konsiderueshme. E megjithatë, përtej buxhetit fillestar, gjithnjë është miratuar edhe një fond shtesë. Kështu ngjau edhe vjet. Paçka se fillimisht u lëvruan 550 milionë lekë të vjetër, për 4-mujorin e fundit të vitit u akorduan edhe 200 milionë lekë të vjetër, duke bërë që për vitin 2018 shuma të shkonte në 750 milionë lekë të vjetër.

Përtej këtij fondi milionerësh që Bashkia Shkodër hodhi, ekipi nuk e shmangu dot dramën. Në fund të sezonit të shkuar ranë nga kategoria. E vetmja gjë që shpresohet është që minimalisht këtë vit paratë që do të miratohen prej këshilltarëve bashkiakë të mirëmenaxhohen dhe fundi i kampionatit t’i gjejë kuqeblutë në elitën e futbollit shqiptar.

Panorama Sport

Komentet