Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, është habitur nga vendimi i disiplinës dhe ka apeluar menjëherë Vendimet e fundit të komisionit të disiplinës nuk janë pritur mirë nga ana e më të penalizuarit prej tyre. Mirel Josa është dënuar të mos drejtojë për 6 muaj asnjë skuadër, konkretisht Vllazninë, meqë është trajneri i saj edhe për sezonin e ri. Arsyeja, sipas vendimit të disiplinës, ka të bëjë me tërheqjen e ekipit nga fusha e lojës në ndeshjen e fundit të kampionatit me Tiranën. Ndryshe nga sa pritej, Josa nuk është dukur shumë nervoz në lidhje me këtë vendim, teksa e konsideron një nga absurditetet e radhës së futbollit shqiptar. Nga ana tjetër, edhe me njëfarë të qeshure, trajneri i kuqebluve thotë se 6 muaj pushim do t'i bëjnë mirë, sepse kohët e fundit ndihet edhe i lodhur nga puna gjithnjë pa pushim. Megjithatë, më poshtë, duke sqaruar vendimin e disiplinorit, trajneri i Vllaznisë thotë se do të bisedojë me drejtuesit e klubit, sepse, përveç tij, janë dënuar edhe disa lojtarë, prandaj reagimi ndaj këtyre vendimeve duhet të jetë zyrtar nga ana e klubit. "Do të flas me presidentin Fushaj dhe sekretarin Medja në lidhje me apelimin e këtyre vendimeve, sepse nuk është thjesht çështja ime. Unë jam pjesë e këtij klubi, ashtu si dhe ata futbollistë që janë dënuar, prandaj kërkesa në Apel mendoj se do të bëhet nga klubi,"ka thënë Josa. Ndërkohë, i ngacmuar më tej nëse e konsideron të ekzagjeruar vendimin në fjalë, ai shprehet tepër i prerë në ato çfarë thotë: "I ekzagjeruar? Pse, çfarë prisnit tjetër? Unë s'kam vrarë njeri të qëndroj 6 muaj pa punë. Madje edhe arsyetimi që i ka bërë komisioni i disiplinës vendimit të tij është tërësisht i gabuar. Skuadrën nga fusha nuk e kam nxjerrë unë dhe të gjithë e kanë të qartë këtë gjë. Nuk kam të drejtë dhe kompetencë ta bëj unë këtë gjë. Nëse kam hyrë në fushë, kjo ka ardhur për pak sekonda në momentin kur futbollistët e Tiranës po hidhnin valle e dollarë në fushë. Në atë moment, e pranoj që kam qenë i irrituar, por shumë shpejt e mblodha veten dhe jam munduar të qetësoj futbollistët e mi. S'kam bërë veprim tjetër që bie ndesh me rregulloren." Aludime të ndryshme mund të çojnë drejt faktit se dënimi i Josës ka qenë i drejtuar nga ndokush në federatë, por vetë ai nuk ka dëshirë t'i mëshojë aspak këtij fakti, por disa argumenteve të tjera, prej të cilëve duhet të dalë "i larë" nga komisioni i apelit. "Nëse kam hyrë në fushë për të qetësuar lojtarët e mi, kur futbollistët e Tiranës po kërcenin valle, kjo nuk besoj se është shkak për të më dënuar. Sepse kemi parë raste kur trajnerët kanë vrapuar deri në mesin e fushës për të replikuar me gjyqtarët, madje edhe duke i goditur, dhe këta trajnerë janë dënuar me 2 ose 3 ndeshje. Unë dënohem ndërkohë 6 muaj, kur isha unë trajneri që ngula këmbë për të luajtur me formacionin më të mirë ndaj Tiranës në atë ndeshje dhe jo me të rinjtë, sepse duhej ta respektonim kampionatin,"thotë në fund Josa. Sakaq, trajneri duket se nuk do ta mbajë shumë mendjen te ky rast dhe këtë fundjavë, siç deklaron edhe vetë, do t'i kushtojë pak vëmendje familjes për të pushuar me të në plazhin e Durrësit. Ai do jetë në Shkodër të hënën dhe pikërisht atë ditë do të flasë më konkretisht me drejtuesit e klubit shkodran në lidhje me mënyrën e reagimit ndaj këtyre vendimeve.

Komentet