Në fundjavë Vllaznia do të çelë siparin e përfaqësimit të skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare për këtë sezon. Përballë saj do të jetë ekipi Nogometni Klub Zagreb, një skuadër pa ndonjë përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, megjithatë mbetet një skuadër për t'u respektuar dhe marrë në konsideratë. Drejtuesit kuqeblu, me të mësuar faktin se kush do të ishte kundërshtari i tyre i Intertotos, kanë nisur punën për të mësuar diçka më tepër për të. Menjëherë janë siguruar disa DVD me ndeshjet e fundit të Zagrebit dhe trajneri Josa ka nisur të mësojë diçka më tepër për kundërshtarin e ardhshëm. Në pamje të parë, gjithnjë nga pamjet që afronin këto kaseta, nuk kemi të bëjmë me një skuadër me futboll shumë të avancuar, megjithatë fakti që në radhët e saj janë shumë lojtarë të rinj, ka bërë që ata ta kenë më tepër vëmendjen të përqendruar te përgatitja fizike e tyre. Por jo vetëm kaq.

Një tjetër fakt që i bën më të respektuar kroatët kundërshtarë të kuqebluve është edhe ai i drejtuesve të stolit të tyre. Deri në fund të sezonit të shkuar, në krye të tyre ka qenë i mirënjohuri Blazeviç, ish‑trajneri i kombëtares së Kroacisë për shumë vite me radhë. Por ditët e fundit ai e ka lënë këtë detyrë për arsye shëndetësore dhe në vend të tij është emëruar një tjetër trajner i kombëtares së këtij vendi. Bëhet fjalë pikërisht për Zlatko Kranjçarin, që ka drejtuar Kroacinë në Botërorin e vitit 2006. Interesant është fakti se drejtuesit e lartë të kësaj skuadre nuk e llogarisin fare kalimin e Vllaznisë në turin e parë të Intertotos. Madje nga sa mësohet, këtë gjë ata e kanë shprehur edhe në media. Në Shkodër ndërkohë nuk janë shumë të shqetësuar për këtë fakt, madje e ndiejnë veten të favorizuar. Ai që u është përgjigjur këtyre deklaratave ka qenë vetë presidenti Fushaj, i cili ka thënë: "Në pamje të parë më vjen mirë që kroatët nuk na llogarisin fare, sepse kjo do të jetë më mirë për ne, ngaqë do të luajmë më lirshëm dhe do të kemi më tepër mundësi për t'u kualifikuar.

Mendimi im është se tashmë kemi një ekip më të fortë se sezonin e shkuar, sepse kemi afruar lojtarë cilësorë. Objektivi pra është kalimi i turit të parë të Intertotos dhe besoj se do t'ia arrijmë." Favorizues për shkodranët është edhe fakti se takimin e parë do ta luajnë jashtë fushës së tyre dhe kësisoj një javë më pas ata do të kenë në duart e tyre kualifikimin. Nga informacionet para që mbërrijnë për NK Zagreb mësohet se në radhët e tij, përveç futbollistëve kroatë, bëjnë pjesë edhe disa futbollistë të huaj. Bëhet fjalë për 5 boshnjakë dhe 1 serb.

Kështu, nga Bosnja janë portieri Stojkiç, mbrojtësit Mehmedogiç e Nadareviç, si dhe dy mesfushorët Ibriçiç e Mujdza, ndërsa serbi i vetëm, Vrdojlak, luan në mbrojtje. Përballë këtij kontigjenti shkodranët do të kundërpërgjigjen me një ekip thuajse të tëri shkodran, por ajo që do të vendosë për kualifikimin natyrisht që do të jenë dy takimet e 23 dhe 30 qershorit.

Sporti Shqiptar

Komentet