Hedhja e firmës për Sinanin nuk ka qenë e fundit në kampin shkodran. Në ditët në vijim pritet që të ketë të tjera blerje cilësore, por gjasat janë që ato të bëhen realitet pas përfundimit të ndeshjeve të Intertotos. Kështu të paktën thonë burime pranë klubit të Vllaznisë, sipas të cilëve presidenti Fushaj duket i vendosur për të shpenzuar sërish shuma të mëdha parash vetëm e vetëm që të ndërtojë një skuadër pretendente. Këtë gjë ai ua ka premtuar edhe lojtarëve të fundit që kanë firmosur për kuqeblutë, pikërisht Dabullës, Dalipit dhe mbi të gjithë Vioresin Sinanit. Vetëm pasi ka marrë garanci për këtë gjë, ky i fundit ka vendosur t'i thotë "po" skuadrës së tij të zemrës, duke sakrifikuar dhe duke shpallur "divorcin" me skuadrën kampione të vendit.

Dhe në fakt përpjekjet për ta ndërtuar atë vazhdojnë. Ndonëse në ditët e fundit ka njëfarë heshtjeje sa u takon emrave që mund të vishen kuqeblu, në ditët në vijim megjithatë ata tashmë kanë filluar të lakohen çdo ditë e më tepër në media. "Qershia mbi tortë" natyrisht që është emri i Klodian Duros. Fantazisti i Tiranës dhe i kombëtares konsiderohet ëndrra e madhe e shkodranëve, për më tepër që ata ia njohin shumë mirë vlerat, ngaqë e kanë pasur në skuadër edhe në sezonin 2000‑2001, atëherë kur Vllaznia do të shpallej për herë të fundit kampione e vendit. Kontaktet me elbasanasit kanë nisur prej kohësh dhe, megjithëse shikohet e vështirë kjo transfertë, përsëri shpresat mbahen gjallë. Aq më tepër kur tani e tutje kuqeblutë kanë edhe një forcë më tepër në anën e tyre, që është Sinani, i cili po luan rolin e ndërmjetësit në këtë mes. Përveç Duros, një tjetër emër është ai i Sasha Delainit. Lojtari pëlqehet edhe nga Josa, megjithëse trajneri i Vllaznisë nuk i ka shumë për zemër afrikanët, por aftësitë e këtij futbollisti kanë bërë që të thotë "po" për ofertën shkodrane.

Pjesëtarë të klubit shprehen se kongolezi me pasaportë gjermane e ka bërë fakt të kryer ardhjen në Shkodër dhe kjo do të ndodhë pas ndeshjeve të Intertotos, më saktë gjatë muajit korrik, menjëherë pas përfundimit të aventurës europiane të kuqebluve. Megjithëse ka thënë kështu, sërish drejtuesit nuk binden shumë, duke pasur frikë në ndërrimin e mendjes së afrikanit, siç ndodh rëmdom me ta. Përveç këtyre dy lojtarëve, presidenti Fushaj është duke tentuar edhe në pistën "Dinamo". Të piketuar duken dy lojtarë të kësaj skuadre, pikërisht Poçi dhe Ahmataj. Lajmet e para thonë se dy lojtarët kërkohen vetëm për Intertoto, por nuk përjashtohet mundësia që fieraku i mesfushës së bluve të përfundojë për gjithë sezonin në Shkodër. Sakaq, në skenë është rishfaqur sërish malazezi Nikolla Vukçeviç. Ai luajti me sukses sezonin e kaluar me këtë skuadër dhe në fillim të qershorit u largua për në Podgoricë, ngaqë i kishte përfunduar kontrata njëvjeçare e huazimit, por ndërkohë bëhet e ditur se lojtari ka shprehur dëshirën të qëndrojë edhe një vit tjetër te Vllaznia.

Ardhja e tij konsiderohet e sigurt dhe jo më kot drejtuesit e klubit hoqën dorë nga shërbimet e Ilir Dibrës. Një tjetër i mirëpritur është edhe mbrojtësi shkodran Elvis Kraja, i cili ka nisur procedurat e shkëputjes nga klubi grek i Iraklisit dhe mbase kjo çështje do të përfundojë në favor të tij. Po ashtu po flitet edhe për brazilianin Abilio, një dashuri e vjetër shkodrane kjo, por një çështje e tillë mbetet për t'u parë në ditët e ardhshme. E sigurt është se nga gjithë këta emra, 3 apo 4 prej tyre do të vishen kuqeblu sezonin e ardhshëm.

Sporti Shqiptar

Komentet