Kapiteni Safet Osja shprehet se kuqeblutë do të bëjnë maksimumin për t'u kualifikuar në turin tjetër. Paraditen e djeshme, kuqeblutë e Vllaznisë kanë zhvilluar seancën e fundit përgatitore para nisjes për në Kroaci. Në ambientet e stadiumit "Loro Boriçi" është parë një seriozitet maksimal te të gjithë pjesëtarët e skuadrës shkodrane dhe si rrjedhojë ky fakt tregon më së miri për rëndësinë që ata u kanë kushtuar ndeshjeve të Intertotos. Kundërshtari i tyre, pikërisht NK Zagreb, konsiderohet nga të gjithë favorit i kalimit në turin tjetër, por në Shkodër nuk duan t'ia dinë për këtë gjë. Vërtet skuadrat mund të kenë disnivele, por në futboll jo gjithnjë mund të parashikosh saktë. Këtë e thotë në emër të ekipit të Vllaznisë edhe kapiteni i saj, Safet Osja, që shprehet: "Këto dy takime janë vlerësuar në maksimum nga ana jonë. Stërvitja gjatë këtyre ditëve është bërë e mirë, pavarësisht temperaturave tepër të larta dhe kjo sepse duam të paraqitemi mirë ndaj Zagrebit. Vërtet ndoshta kundërshtari nuk na llogarit për kalimin e turit, por besoj se me ndeshjet që do të zhvillojmë do të tregojmë se nuk do të jetë kaq e lehtë për ta. Përkundrazi, kualifikimi mendoj se është i hapur dhe nuk do të ishte surprizë nëse në turin tjetër do të kalonte Vllaznia." Një deklaratë e tillë është dhënë para nisjes për në Kroaci dhe në të vërtetë në autobusin që ka lënë qytetin e Shkodrës, teksa shikoje lojtarët që ngjiteshin në bordin e tij, nuk të linte vend shumë për optimizëm. Kjo sepse mungojnë blerjet e bujshme të premtuara në fillim, por edhe ndonjë lojtar i huazuar, siç u mendua. Mbi të gjitha mungonin edhe dy pjesëtarë të rëndësishëm të kësaj skuadre, Sinani dhe Sukaj. Njeriu që mban shiritin e kapitenit te kjo skuadër e ndien shumë këtë gjë, prandaj dhe shton: "Që nuk jemi favoritë, këtë mund ta mendojnë të gjithë, por pavarësisht këtyre mendimeve, problemi ynë real është se nuk kemi shumë alternativa për ndeshjen, aq më tepër kur na mungojnë në këtë takim të parë edhe dyshja Sinani-Sukaj. Për të parin ndoshta edhe pritej, sepse u bashkua vonë me skuadrën në stërvitje, por mungesa e Sukajt ka peshën e vet. Kjo sepse ai është një lojtar i cili ka aftësi të mira dhe në sezonin e kaluar i ka bërë shumë punë skuadrës sonë. Megjithatë, do të na duhet të bëjmë edhe pa ta dhe si rrjedhojë e rëndësishme do të jetë të luajmë me kujdes në mbrojtje për të mos pësuar gol, ose të paktën të pësojmë një humbje në shifra minimale, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të kemi shanset për kualifikim." Gjërat tashmë janë të qarta në kampin shkodran. Ekipi i Zagrebit duhet pritur në gjysmëfushë, duke luajtur në bllok dhe duke shfrytëzuar pastaj ndonjë dalje të shpejtë të Kaçit, Norës, apo Dalipit. Shanset për kualifikim mbahen të hapura dhe për këtë arsye duhet pretenduar deri në fund, në mënyrë që skuadra e cila të kalojë në turin tjetër ndaj kundërshtarit turk të mos jetë Zagrebi, por Vllaznia.

Sporti Shqiptar

Komentet