Turqit i konsiderojnë kuqeblutë e Shkodrës si një ekip pa eksperiencë dhe që nuk duhet të diskutohet kualifikimi. Duket se ato nuk janë shumë të "mirëinformuar" për Vllazninë, pasi në të dhënat për ekipin shkodran, mediat turke shkruanin se Vllaznia ka një stadium me kapacitet 1500 vendesh. Ndër të tjera, përveç rezultateve të Vllaznisë sezonin e fundit, përmendet edhe ndeshja e kuqebluve e para disa viteve, me Gallatasarajin, teksa janë mundur me rezultatet 2-0 dhe 4-1. Një nga futbollistët e rinj dhe të talentuar të Trabzonsporit, Serkan Balci, është shprehur se kanë kaluar një fazë përgatitore shumë të frytshme 10-ditore dhe janë të bindur se do ta kalojnë turin, madje do të arrijnë në Kupën UEFA përmes Intertotos. Balci shton se ekipi i tij po përgatitet seriozisht për kampionatin. Sidoqoftë, pavarësisht optimizmit të thekur, talenti i Trabzonsporit, nënvizon se kundërshtari nuk duhet nënvleftësuar.
 
Edhe menaxheri i ekipit turk në fjalë, Perekli, është shprehur se Vllaznia është një ekip i dobët në krahasim me Tranboznsporin, por ndaj tij duhet bërë kujdes, për ta kaluar me sukses turin dhe për të vazhduar rrugën drejt Kupës UEFA. Ai bën thirrje për përqendrim, duke kujtuar një eksperiencë jo të mirë kundër Apoelit, sezonin e kaluar, ku e patën shumë të vështirë për ta kaluar turin. Le të shpresojmë që edhe Tranbonspori ta nënvleftësojë si Nk Zagrebi Vllazninë dhe të marrë të njëjtin përfundim, siç mori ekipi kroat. Ndërkohë, zv.presidenti i Trabzonsporit, Ajdin Pishiren, ka thënë: "Këtë fundjavë do të luajmë turin e dytë të Kupës Intertoto, kundër Vllaznisë, dhe patjetër duhet të marrim një rezultat pozitiv, që të kemi avantazh në ndeshjen e dytë. Skuadra jonë është gati për këtë sfidë. Trajneri Zija Dogan ka bërë një ekip të mirë edhe me futbollistët e rinj të ardhur.

Ndërsa lojtarët i janë përshtatur trajnerit dhe veprojnë si një trup i vetëm. Në lidhje me ndeshjen me Vllazninë gjërat duhen marrë seriozisht. Nëse duam ta kalojmë turin, duhet ta mbajmë nën presion kundërshtarin. Për sa i përket drejtimit dhe futbollistëve që kemi, mund të them se kemi shumë besim. Jam i sigurt se në ndeshjen e parë këtu do të kemi edhe mbështetjen e fortë të tifozërisë. Personalisht besoj se skuadra është në një gjendje të lartë tekniko taktike. U bëj thirrje lojtarëve që të luajnë në grup. Trabzonspori është një skuadër për të cilën kemi punuar shumë dhe besojmë se ka për të arritur më shumë se ndonjëherë tjetër."

Sporti Shqiptar

Komentet