Prej vitesh shkodranët kanë gjetur "treg" në Mal të Zi. Lojtarë të shumtë nga vendi fqinj kanë ardhur për t'u provuar, kanë luajtur, por shumë kanë ikur edhe pa lënë gjurmë në "Loro Boriçi". Fundi i sezonit të kaluar u duk se krijoi idenë se Vllaznia do të hiqte dorë nga shërbimi i futbollistëve malazezë. Largimi shpejt i Miliçit që në janar, më pas lënia të lirë edhe e dy mbrojtësve Vukçeviç e Radusinoviç, tregoi se drejtuesit kuqeblu do të merreshin më tepër me tregun vendës. Por nuk do të ndodhë kështu. Vetë presidenti Fushaj ka deklaruar dy ditë më parë se shumë shpejt do të bashkohen me skuadrën edhe dy futbollistë nga vendi ngjitur me ne. Bëhej fjalë për një mbrojtës dhe një mesfushor. Si gjithnjë, thuhet se janë futbollistë shumë cilësorë, por kjo mbetet për t'u parë.

Për mbrojtësin thuhet se do të vijë nga ekipi kampion i Malit të Zi, Zeta, dhe bëhet fjalë për lojtarin kryesor të saj. Ndërkohë mesfushori është pjesë e një ekipi tjetër dhe mendohet që ata të hënën që vjen të jenë nën urdhrat e Josës. Nga ana tjetër, sa u takon afrimeve, Delaini, siç është bërë e ditur, brenda kësaj jave pritet të jetë në Shkodër dhe për këtë arsye ka udhëtuar dje drejt Gjermanisë edhe miku i tij Kotrri dhe të dy së bashku në fundjavë mund të jenë pjesë e Vllaznisë në stërvitje. Përveç kongolezit me pasaportë gjermane, një emër tjetër që lakohet për t'u veshur kuqeblu është edhe ai i Migen Memellit.

Ky i fundit aktualisht, siç dihet, është duke u aktivizuar në kampionatin norvegjez, por mund të shkëpusë marrëdhëniet me të dhe të rikthehet në kampionatin shqiptar. Nga sa bëhet e ditur, këtë emër presidentit Fushaj ia ka sugjeruar vetë trajneri Josa, i cili ka vendosur kontaktet me lojtarin dhe të gjithë tashmë kanë filluar të mendojnë për një dyshe sulmuese Sinani Memelli. Së bashku me Kaçin, Norën, pse jo edhe Sukajn, Vllaznia në këtë mënyrë do të ishte skuadra me repartin më ofensiv në kampionatin shqiptar. Duke i marrë të mirëqena të gjitha këto afrime, i vetmi problem për stafin drejtues të kuqebluve duket se është mesfusha. Nëse malazezi që vjen rezulton të jetë ashtu siç thonë, problemi i organizatorit do të jetë i mbyllur dhe kjo mund t'i hapë rrugë kapitenit Osja të kalojë në krahun e djathtë të mesfushës, aty ku ai ka luajtur për vite me radhë.

Megjithatë, edhe një emër tjetër në mesfushë konsiderohet i nevojshëm dhe për këtë gjë tratativat vazhdojnë. Një gjë është e sigurt, presidenti Fushaj ka premtuar një skuadër të denjë për titull dhe i duhet besuar deri në fund. Ai është ndër presidentët që ka folur gjithnjë me maturi dhe për rrjedhojë nuk mendohet që të veprojë ndryshe. Për më tepër që Shkodra tashmë pret prej tij një skuadër pretendente për titull. Nuk përjashtohet mundësia që, përveç emrave të mësipërm, të jetë edhe ndonjë tjetër i piketuar për të "blinduar" Vllazninë. Shpenzimet janë të mëdha, por Fushaj ka vendosur të mos e mbajë të lidhur "qesen", në mënyrë që skuadra e sezonit 2007 2008 t'i gëzojë sportdashësit e saj të shumtë në gjithë vendin.

Sporti Shqiptar

Komentet