Kanë mbajtur shumë shpresa se Gilman Lika do të ishte pjesë e tyre në sezonin e ri, por që nga dita e djeshme drejtuesit e Elbasanit duhet të mendojnë për një zëvendësues të tij. Vllaznia ka vendosur të mos heqë dorë nga shërbimet e 20-vjeçarit, prandaj Lika duhet të vazhdojë kontratën që ka me kuqeblutë edhe për tri sezone të tjera. Ka gati një muaj që presidenti Laze ka luajtur çdo gur për ta bërë të tijin këtë lojtar, duke i afruar homologut të tij Fushaj në fillim huazimin e tij për një sezon kundrejt një vlere parash.
 
Më pas është kaluar tek ideja e blerjes së kartonit të lojtarit, meqë ai ka kontratë deri në vitin 2010 me Vllazninë, por shuma e afruar nga elbasanasit nuk e ka bindur shumë Fushajn. Si rrjedhojë, duke parë edhe kërkesën e Josës për ta mbajtur në skuadër këtë lojtar, shkodranët kanë vendosur të mos e lëshojnë 20-vjeçarin, që është titullar i padiskutueshëm i ekipit Shpresa. Një ditë më parë vetë Lika ka qenë në zyrën e presidentit të tij pikërisht për këtë problem dhe për të saktësuar gjërat, por nga goja e numrit 1 të Vllaznisë ka dalë pohimi i vetëm për moslëshimin e tij. Nëse do të bëhej kjo lëvizje, do të ishte rasti i parë në futbollin shqiptar që një skuadër do të blinte kartonin e një futbollisti. Deri më tani zbatohej praktika e firmosjes së kontratave njëvjeçare dhe për rrjedhojë ishin lojtarët ata që bisedonin me klubet dhe jo këta të fundit me njëri tjetrin. Përfundimisht, çështja "Lika" merr fund dhe Elbasani duhet të mendojë për një lojtar tjetër në vend të tij.

Sporti Shqiptar

Komentet