Vllaznia, disidentja e futbollit shqiptar

 
 
Dossier: Arratisja e futbollistëve të Vllaznisë 20 vite më parë, ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe nuk kaloi pa lënë gjurmë në radhët e ekipit dhe në jetën sociale të vendit.

Ramadan Bizga
 
 
Si u arratisën 20 vjet më parë futbollistët shkodranë, Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha?

Cilat ishin shkaqet e kësaj arratisjeje?

Cilët nga futbollistët shkodranë ndaloi policia finlandeze në Helsinki?

Pse nuk u realizua tentativa për t'u arratisur që në Finlandë dhe pse u mor vendimi për të qëndruar në Athinë?

Ku ndodhi ngjarja dhe nga cili hotel i Athinës u arratisën futbollistët e Vllaznisë?

A ka ndonjë lidhje midis arratisjes së përkthyesit Ilir Butka, me atë të futbollistëve Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha?
 
Ku u strehuan futbollistët në mëngjesin e 6 nëntorit, pasi u larguan nga hoteli "Athinas" dhe përse ata zgjodhën pikërisht atë vend?
 
Pse nuk udhëtuan me Vllazninë në drejtim të Finlandës futbollistët Rudi Vata e Faslli Fakja?

Kush kërkonte ta arrestonte ish kapitenin e ekipit tonë kombëtar?
 
A kishin faj në arratisjen e futbollistëve të Vllaznisë drejtuesit e ekipit?

Çfarë ndodhi më pas me Vllazninë?

Cilat ishin masat drastike që mori shteti komunist i asaj kohe ndaj disa futbollistëve dhe drejtuesve shkodranë?

Çdo gjë vjen e gjallë nga goja e trajnerit shkodran, Astrit Hafizi, dhe e ish futbollistëve të Vllaznisë, të cilët radhazi, nëpërmjet kujtimeve të asaj ngjarjeje, do të risjellin në skenë të gjithë ngjarjen e ndodhura 20 vjet më parë, e cila pushtoi për vite të tëra opinionin shqiptar. Në këtë numër të gazetës do të lexoni pjesën e parë të këtij "Dossier"-i për ngjarjen e bujshme të gati dy dekadave më parë, që tronditi thellë sistemin e asaj kohe.
 
Dossier: Arratisja e futbollistëve të Vllaznisë 20 vite më parë, ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe nuk kaloi pa lënë gjurmë në radhët e ekipit dhe në jetën sociale të vendit

Nga Ramadan BIGZA


Kjo fotografi e shkëlqyer e fotoreporterit të njohur Lekë Hoti tregon Vllazninë, fituese të Kupës së Republikës në vitin 1987. Kjo fotografi e shkodranëve është bërë në qershor në qytetin e Vlorës. Pas fitores 3 0 në Shkodër, Vllaznia u mund 3-1 në Vlorë nga Flamurtari, por goli i Ferit Rragamit ishte aq i çmuar sa zhvlerësoi tre golat e vlonjatëve. Kështu Vllaznia do të përfaqësonte Shqipërinë në Kupën e Kupave të Europës. Në turin e parë shkodranët u ndeshën më 13 shtator në Shkodër me skuadrën malteze Sliema Uonderers dhe fituan 2 0, me gola të Adrian Bushatit dhe të Fatbardh Jerës. Më 29 shtator, Vllaznia udhëtoi drejtë Maltës dhe i mundi kundërshtarët e vet me rezultatin 4 0, falë golave të Pashajt, Vukatanës, F.Rragamit dhe F.Fakjes. Në turin e dytë, kundërshtar i Vllaznisë ishte Rovaniemi. Finlandezët fituan në Shkodër 1 0 dhe me të njëjtin rezultat, fituan më 4 nëntor në qytetin e akullt të Rovaniemit. Por akulli finlandez e shoqëroi Vllazninë në rrugën e akullt të ditëve që pasuan...

Gjatë qëndrimit në Athinë, dy ditë pas ndeshjes në Finlandë, dy futbollistë shkodranë, Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha, kërkojnë strehim politik në Greqi. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për kohën, që tronditi thellë tërë Shqipërinë, shtetin komunist, themelet e një sistemi që në fakt po shkonte drejt shkatërrimit të tij. Por në kulmin e kësaj krize, si ajo kafsha e plagosur që është në prag të agonisë, shteti totalitarist ushtroi tërë forcën e tij për të ndëshkuar një nga skuadrat më të mira të vendit, për të ndëshkuar skuadrën që përfaqësonte Shkodrën, vendlindjen e futbollit shqiptar. Shteti nëpërmjet levave të tij, ndëshkoi futbollistët, ata që i kishin dhënë dhe i jepnin kënaqësi të veçanta qytetit të tyre, ndëshkoi familjet e nderuara qytetare shkodrane, ndëshkoi Vllazninë, simbolin e futbollit shqiptar. Kjo fotografi e reporterit Lekë Hoti është emblematike, jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë. Ajo është e tillë sepse pasqyron Vllazninë, një nga krenaritë tona kombëtare. Ajo pasqyron historinë, gëzimin, dhimbjen, gabimin... Ndërsa mendon se çfarë ka ndodhur me këta njerëz të ngritur më parë deri në idhuj, meditimi para fotografisë të bën të ndiesh kohën, shtetin, forca e të cilit kishte mbetur në ndëshkimin e këtyre njerëzve të pafajshëm. Kjo fotografi pasqyron sistemin, fundi i të cilit po vinte me shpejtësi. Viti 1987 ishte një sprint i fuqishëm drejt demokracisë. E ky sprint niste pikërisht nga Shkodra...


Hoteli "Athinas", "muzeu" i ikjes Fare pranë ambasadës amerikane, në Athinë, është një hotel me emrin "Athinas".
 
Nuk është ndër ato hotele, që i kanë supet e rënduara me yje, por për ne shqiptarët është si një "muze". E kam vizituar shpesh, madje jam futur brenda tij, duke medituar gjithçka që mund të ketë ndodhur atë mëngjes nëntori të vitit 1987. Hoteli ndodhet në rrugën e gjerë "Vasilis Sofias". Ai, në krah të djathtë të tij, ka ambasadën amerikane, ndërsa përballë ka ambasadën ish jugosllave. Hoteli ndodhet edhe sot jo shumë larg vendit, ku ka qenë më parë ambasada shqiptare në Athinë. Nga që ishte pranë saj, hoteli "Athinas" ishte zgjedhur edhe si rezidenca e të gjithë shqiptarëve, që asokohe udhëtonin për arsye pune drejt vendit fqinj. Ndërsa kthehej nga Finlanda për në Shqipëri, ekipi i Vllaznisë ka bërë një pushim të shkurtër në kryeqytetin helen dhe është ndalur pikërisht te hoteli "Athinas". Por mbrëmja nuk ka qenë aspak e qetë në radhët e shkodranëve.

Ka qenë një mbrëmje pa gjumë, një mbrëmje e ngarkuar me ethe, tension, guxim dhe marrëzi. Ka qenë një mbrëmje, që nuk dihet se cila orë e ka ndarë atë me mëngjesin e ditës së nesërme. Kur delegacioni shqiptar ishte bërë gati për të shkuar në aeroport, drejtuesit e tij janë sinjalizuar nga punonjësi i shërbimit të hotelit se në mëngjes herët dy shqiptarë janë larguar nga hoteli dhe nuk janë kthyer më. Pas një verifikimi të shpejtë nga drejtuesit e ekipit, është mësuar se Vllaznia nuk kishte midis tyre dy nga futbollistët e saj, sulmuesin Lulëzim Bërsheni dhe portierin Arvit Hoxha. Ata kishin kaluar autostradën e gjerë në rrugën e njohur "Vasilis Sofias". Më pas, të dy futbollistët tanë kanë kërkuar që të qëndrojnë në Greqi. Kjo histori emocionale deri ku nuk shkon më, lidhet me një fakt, me aktivizimin për herë të parë të futbollistëve tanë në kampionatet greke. Pas disa muajsh, Panionios, klubi më i vjetër grek, i themeluar në vitin 1890, do të ishte strehëza e Bërshenit dhe e Hoxhës. Madje një vit më vonë, më 1988, Lulëzim Bërsheni figuron midis futbollistëve të Panioniosit, që fituan Kupën e Greqisë. Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha me qëndrimin e tyre në Greqi dhe aktivizimin me Panionios, hapën shtigjet e rrugës së shqiptarëve për në Greqi, e cila asokohe ishte tabu dhe me rrezik për jetën jo vetëm për veten, por edhe për gjithë rrethin familjar e atë shoqëror.

Nuk ishte një rrugë e shtruar me lule, por e frikshme edhe për ta menduar e jo më për ta provuar. Ajo i ngjan rrugës së mundimshme të të gjithë bashkëkombasve tanë, që u arratisën atë kohë nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Kur prek në Greqi historinë "Made in Albania", zbulon gjëra të panjohura. Ajo është e mbushur me vuajtje, midis të cilave herë herë gjen edhe ndopak shkëlqim. Por historia jonë nis pikërisht tek ai hotel në "zemër" të Athinës, me emrin "Athinas".


Trajneri i Vllaznisë së asaj kohe, Astrit Hafizi, rrëfen se si e ka përjetuar arratisjen e futbollistëve të tij

Hafizi: Ishte një ngjarje që duhet harruar

Trajneri Astrit Hafizi këtë histori e ka treguar edhe herë të tjera. Edhe pse ajo ngjarje mbart kujtime të zymta për trajnerin shkodran, ai përsëri, si përherë i sjellshëm me gazetarët, të flet për të. Por në këtë rrëfim të tij, Hafizi i anashkalon pasojat, masat që u morën ndaj tij, duke e larguar nga drejtimi i Vllaznisë dhe duke e çuar si dënim të punonte mësues i edukimit fizik, jashtë qytetit të Shkodrës. Këtë copëz të jetës së tij, ai nuk ka dëshirë ta kujtojë. Ja si e kujton Hafizi arratisjen e futbollistëve të tij, Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha:

Hafizi, çfarë ju kujton nëntori i vitit 1987?

Më 4 nëntor të vitit 1987 kemi luajtur në Rovaniem në kuadrin e Kupës së Kupave dhe kemi humbur 1 0.

Përveç mbresave të këtij takimi çfarë ju kujton tjetër Finlanda?

 Ta them sinqerisht, më kujton ngjarjen më të pakëndshme të jetës sime.

Përse e thoni këtë dhe çfarë ka ndodhur konkretisht. Pra cila është arsyeja që ju detyron të thoni se bëhet fjalë për ngjarjen më të pakëndshme të jetës suaj?

Pas ndeshjes në Rovaniem u kthyem në Helsinki, ku derisa të vinte koha për t'u larguar nga kryeqyteti i Finlandës, dolëm për të bërë pazar. Erdhi ora për t'u nisur, por na mungonin disa futbollistë. Pritëm gjatë që ata të ktheheshin, por na thanë se kanë pasur një problem me policinë.
 
Çfarë ndodhi më tej?
 
Pas kryerjes së veprimeve nga ana e policisë, ata u lejuan të vijnë me ne dhe të gjithë së bashku u nisëm drejt Budapestit dhe prej këtu mbërritëm në Athinë.

Në Athinë ishit të detyruar të qëndronit?

Po. Ky udhëtim, ashtu si dhe udhëtimet e tjera, planifikohen më përpara. Dihet që më parë itinerari që do të ndiqet për shkuarjen dhe ardhjen e ekipit. Kështu ngjau edhe kësaj here.

Ku qëndruat në Athinë?

Fjetëm në hotelin "Athinas", i cili kujtoj se ishte diku afër ambasadës sonë (është fjala për ambasadën e vjetër).
 
Tjetër, çfarë kujtimesh ju sjell "Athinas"?


Kur u zgjuam në mëngjes për t'u kthyer në Shqipëri, sportelisti na tha se në orët e para të mëngjesit dy futbollistë kishin dorëzuar çelësat e dhomës dhe ishin larguar. Sportelisti nuk dinte se kush ishin. Ne filluam të kontrollojmë dhomat dhe pamë se mungonin Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha.

A ju shkoi ndër mend se ata mund të ishin larguar përfundimisht?
 
Jo, kurrsesi jo. Mendja më shkoi se, si të rinj që ishin, mund të kishin shkuar në ndonjë buzuk apo në ndonjë klub nate.
 
Kur u mor vesh se ata nuk do të ktheheshin më?
 
Pritëm deri nga ora 11.30, derisa disa punonjës të ambasadës na thanë që të mos i prisnim më, por të niseshim për në Shqipëri. Ndërkohë mësuam se dy futbollistët tanë, Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha, kishin kërkuar strehim politik në Greqi.
 
Po kur kthyet në Shqipëri, çfarë ndodhi?

Shteti mori masa drastike. Familjet e dy futbollistëve u internuan në zonat më të thella malore. U dënova edhe unë si trajner, por edhe Esat Rakiqi, i cili ishte zëvendëstrajner, por që nuk ishte me ne në Finlandë. Ferit Rragamin, si kapiten i ekipit që ishte, e dërguan në Pult të Dukagjinit. Një dënim të tillë mori edhe mjeku Zyhdi Çoba. U përjashtua futbollisti Rudi Vata, i cili nuk ishte me ne në Finlandë, dhe portieri Agim Maliqati. U përjashtuan edhe disa futbollistë të tjerë. Ndërsa Luan Vukatana dhe Kujtim Shaba filluan serinë e gjyqeve. Vllaznia u dënua për disa vjet që të mos marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare.
 
Keni për të shtuar ndonjë gjë tjetër?
 
Jo, por dua të përsëris edhe një herë se këto që ju tregova janë çastet më të pakëndshme të jetës sime. Eshtë një ngjarje që nuk dua ta kujtoj, edhe pse ajo ndodhi në një vit të suksesshëm, kur ne sapo ishim pagëzuar me fitimin e Kupës së Republikës.

Mbrojtësi Rudi Vata tregon shkaqet pse nuk udhëtoi drejt Finlandës, pa e ditur se ndiqej nga sigurimi i shtetit

Vata: Ja pse nuk isha në Finlandë

Mbrojtësi i shquar shkodran, ish-kapiten i kombëtares, Rudi Vata, pas përfundimit të studimeve rikthehet në qytetin e lindjes. Menjëherë Vllaznia e përfshiu në radhët e saj. Ai do të luante në ndeshjen e parë ndaj maltezëve, por në ndeshjen ndaj finlandezëve të Rovaniemit, çuditërisht ai nuk do të bënte pjesë në radhët e Vllaznisë. Shkakun nuk ta tregonte askush në ato kohë. Djaloshi i ri nuk e dinte se shihej me dyshim nga organet e sigurimit të shtetit, të cilat ishin të gatshme edhe për ta arrestuar. Të gjitha këto Rudi do t'i mësonte vite më vonë, kur sistemi komunist ishte rrëzuar në Shqipëri.

Ja çfarë tregon ai:

Cili është mendimi juaj tani, pas 20 vjetësh?

Unë mendoj se gjithçka që ndodhi në Finlandë ka një domethënie. Dhe them se origjina e saj është Malta, pra shteti ku ne luajtëm para se të shkonim në Finlandë. Përse e thoni këtë? Përpara se të luanim në Finlandë, ne zhvilluam takimet e turit të parë. Fituam me Sliemën në Shkodër 2 0 dhe gjithashtu fituam edhe në Maltë kundër kësaj skuadre 4 0.

A ka ndonjë lidhje tjetër midis Maltës dhe Finlandës?

Sigurisht që ka.

A mund të flisni më konkretisht?

Patjetër. Ndërsa po shkonim drejt Maltës ekipi ynë qëndroi një natë në Athinë. Më kujtohet se u vendosëm në një hotel të quajtur "Albatros", i cili ishte pranë aeroportit të vjetër të Athinës. Pasi dolëm, secili me grupin e tij, u kthyem në hotel. Erdhi koha të niseshim drejt Maltës, por na mungonte përkthyesi. Pritëm, duke menduar se mos ka humbur rrugën, apo është ngatërruar ndokund, por jo. Ilir Bulka, përkthyesi ynë, nuk u bashkua më me ne. Ai qëndroi në Athinë, ku kërkoi strehim politik, ndërsa ne shkuam në Maltë pa përkthyes.

Përveç kësaj çfarë e lidh tjetër Rudi Vatën me Maltën?

Po bisedoja në Maltë me një shok të skuadrës për gjëra të ndryshme, për gjëra që mund të na preokuponin ne 18 vjeçarëve të atëhershëm. Sigurisht, nuk më shkonte mendja për të ikur, sepse i merrja me mend pasojat. Edhe ashtu, pa bërë gjë, familja ime ishte vënë në shënjestër. Megjithatë, kur ishim grumbulluar në hotel turizmin për ndeshjen me Rovaniemin, më thanë se më kërkonin për një takim në dhomën e pritjes. Menjëherë më shkoi mendja te biseda që kisha bërë në Maltë. Kisha dëgjuar atëherë nga njerëz të ndryshëm, që nën tavolina punonjës të sigurimit vinin përgjues. Me këtë mendim u futa në zyrën e pritjes së turizmit dhe fillova duke folur me tone të larta. Isha i bindur tashmë që biseda e incizuar nuk do të ishte ajo që prisnin.

Përse nuk shkuat në Finlandë për ndeshjen e kthimit me Rovaniemin?

Atë ditë, kur u nisëm nga Shkodra për në Tiranë e më pas do të shkonim drejt Finlandës, tek autobusi në Shkodër kthyen Faslli Fakjen. Pra, Fakja nuk erdhi me ne as në Tiranë dhe askush nuk i tha përse po ndodhte kjo gjë. Pasi shkuam në Tiranë, qëndruam tek hotel "Peza". Në mëngjes, ndërsa autobusi do të nisej drejt aeroportit të Rinasit, më thanë që në dhomë më priste përgjegjësi i ekipit. U ngjita lart në dhomën e tij dhe ai më komunikoi njoftimin, që unë nuk duhet të udhëtoja në Finlandë me ekipin. I kërkova arsyen, por nuk mora asnjë përgjigje për këtë. Përfundimisht, unë nuk shkova në Finlandë.

Kur e morët vesh se Bërsheni dhe Hoxha kishin ndenjur në Greqi, pra ishin arratisur?

Kur u kthye ekipi nga Finlanda dhe kur filluan mbledhjet e famshme. Unë një gjë duhet t'ju them. Luli (Bërsheni) ishte një nga shokët e mi të mirë. Ai ishte një futbollist i talentuar. Unë nuk u çudita për ikjen e Lulit. Edhe pse ishte dy vjet më i madh se unë, e kam njohur mjaft mirë mentalitetin e tij.

Sporti Shqiptar

Komentet