Një "autobus" me lojtarë pritet të mbërrijë te Vllaznia në ditët në vijim. Merkatoja e saj duket më e hapur se kurrë për lojtarë të huaj, të cilët janë kontaktuar nga drejtuesit shkodranë dhe ata nga momenti në moment duhet të mbërrijnë në Shkodër. Disa të tjerë do të bashkohen me kuqeblutë në përgatitoren e Nikshiqit, prandaj trajneri Josa është duke i "përveshur" mirë mëngët. Megjithatë, gjithë ky fluks i madh të ardhurish sigurisht që do të ketë edhe firot e veta. Kështu, braziliani i mbërritur dy ditë më parë, pikërisht mesfushori Jackson Petsana, nuk e ka kaluar provën te Vllaznia. Ka mjaftuar një ndeshje kontrolli dje pasdite e kuqebluve dhe vendimi është marrë menjëherë. "Ky lojtar nuk bënte për Vllazninë. Ai nuk kishte asgjë të veçantë në lojën e tij, prandaj dhe kam vendosur të mos e provoj më. Ai nuk do të jetë me skuadrën as në fazën përgatitore, por nesër (sot) do të largohet nga Shqipëria," ka thënë Josa. Më ndryshe qëndron puna me të ardhurin tjetër te skuadra shkodrane.
Për maqedonasin Popovski dy ditët e para të stërvitjes kanë krijuar për të përshtypjen e një lojtari të mirë, i cili shquhej për lojën në ajër, por edhe nuhatjen në zonë. Lojtari që ka luajtur disa sezone me ekipin e Pobedës në vendin e tij, ka qenë një ndër sulmuesit e spikatur të kampionatit maqedonas dhe pas një përvoje në fillim të karrierës së tij në Çeki, tani është duke kërkuar një aventurë të dytë në Shqipëri. Josa ka qenë i rezervuar në komentet për këtë lojtar, megjithatë është dukur qartë njëfarë qëndrimi pozitiv për vlerat e tij. "Nuk dua të ngutem. Dua ta shoh mirë edhe në ditët e para të përgatitores në Nikshiq dhe më pas do të vendos për të," ka thënë ai. Megjithatë, të ardhurit nuk do të mbeten këtu. Sot është planifikuar të mbërrijë në vendin tonë një tjetër futbollist brazilian për llogari të Vllaznisë. Bëhet fjalë për një futbollist sulmues, gjithsesi shpresat janë që i ardhuri i radhës të mos ketë fatin e Petsanës.
Nga ana tjetër, në fundjavë mendohet të mbërrijë nga Gjermania futbollisti i kuqebluve Uliks Kotrri, i cili është duke bërë edhe rolin e menaxherit të këtij ekipi. Bashkë me të mund të vijnë edhe Delain dhe dy futbollistë portugezë. Të dhënat për këta të fundit ende nuk bëhen të ditura, por ata do të jenë në provë në përgatitoren malazeze. Gjithashtu pritet edhe një futbollist tjetër nga Brazili, një maqedonas si dhe një futbollist turk. Pa harruar faktin se nga Mali i Zi ende nuk është hequr dorë plotësisht. Duke qenë kështu, drejtuesit e Vllaznisë mbeten me shpresë se disa prej këtyre të ardhurve do të qëndrojnë.
Fakti se Delaini do të vijë bashkë me Kotrrin, do të thotë se kuqeblutë ende nuk kanë hequr dorë plotësisht nga kongolezi, edhe sepse vetë ai ka konfirmuar faktin se nuk u ka asnjë detyrim drejtuesve të Flamurtarit, me të cilin ka luajtur sezonin e shkuar. Po ashtu, i gatshëm për të ardhur është edhe Leandro dhe presidenti Fushaj është shprehur i gatshëm për t'i prerë biletën. Nga ana tjetër, në skenë ka dalë edhe emri i Abilios, por shanset që ai të vishet sërish kuqeblu janë shumë të pakta. Po ashtu bëhet e ditur se presidenti shkodran pret edhe një përgjigje nga Daniel Xhafaj, të cilit i ka bërë një ofertë shumë të madhe financiare vetëm e vetëm që ta ketë në skuadër. E rëndësishme është që përpjekjet për të bërë një ekip pretendent vazhdojnë së bashku edhe me dështimet e të ardhurve. Rasti i brazilianit Petsana që u largua pa ardhur mirë flet vetë për këtë.

Sporti Shqiptar

Komentet