Drejtuesit e Vllaznisë mësohet se janë në pritje të të tjerë lojtarëve pranë ekipit të tyre. Kësaj here, në ndryshim me lajmet e mëparshme, këta lojtarë janë kryesisht afrikanë, që i shtohen brazilianëve e portugezëve që priteshin te kuqeblutë, por ende nuk janë dukur në grumbullimin e ekipit në Nikshiq të Malit të Zi. Ajo çka mësohet nga burime pranë klubit kuqeblu, është se drejtues të këtij klubi janë në një marrëdhënie pune me një prej agjencive më prestigjioze që operon në Gjermani, e cila merret me lëvizjen e lojtarëve të ndryshëm, por kryesisht afrikanë. Drejtuesit e ekipit kuqeblu, nëpërmjet kësaj agjencie do të përpiqen të bëjnë të mundur afrimin e sa më shumë futbollistëve për provë pranë ekipit të tyre, me qellim që të kenë sa më tepër zgjedhje për t’ia ofruar Josës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, lojtarët mund të jenë në Nikshiq ndoshta që këto ditë. Një prej futbollistëve që pritet është nga Togo, ndërkohë që nuk dihet as emri dhe për më tepër roli i tij. Ajo që dihet është se kjo pjesë e stafit të ekipit që po merret me këtë çështje i ka të qarta repartet ku tekniku Josa ka nevojë për të ndërhyrë në këtë merkato, prandaj edhe synimet janë për të përforcuar këto role. Pavarësisht se gjithçka po kërkohet të bëhet në rrugën më të mirë të mundshme nga punonjësit e stafit të Vllaznisë, për të ndërtuar çdo lloj strategjie për të afruar lojtarë sa më cilësorë, përsëri fjalë e fundit është mendimi i teknikut Josa. Ajo që kërkohet prej agjencisë së menaxhimit është që niveli i lojtarëve që mund t’i ofrohet Vllaznisë të jetë i kënaqshëm. Megjithatë kjo mbetet për t’u qartësuar vetëm në ditët kur këta lojtarë, që trumbetohen me të madhe nga stafi, do t’i bashkohen skuadrës në Nikshiq për fazën përgatitore, mbasi më parë çdo diskutim do të ishte i pavlerë. Ndërkohë që maqedonasi Aleksandër Popovki vazhdon të jetë nën urdhrat e Josës, në pritje të një përgjigje për provën e tij. Nga burime pranë kuqebluve mësohet se lojtari po paraqitet mirë. Megjithatë nuk është thënë ende asnjë fjalë nga numri një i pankinës shkodrane, Josa, i cili do të jetë i pari që do të vendosë. Ndërkohë që deri dje pranë Vllaznisë nuk ka pasur asnjë nga afrimet e përfolura. Mbrojtësi Kotrri dhe lojtarët që priteshin të ishin me të në Nikshiq, ende nuk janë paraqitur, të paktën deri dje pasdite.

Panorama Sport

Komentet