Dy përforcimet e fundit të Vllaznisë kanë qenë sezonin e shkuar pjesë e rëndësishme e ekipeve të tyre, Belisha me Besën dhe Kapaj me Teutën. I pari është shpallur fitues i kupës dhe njëkohësisht ka kaluar edhe turin e parë të UEFA-s me kavajasit, ndërsa tjetri ka luajtur me ekipin nënkampion të vendit dhe ka qenë finalist i kupës. Njëri është mesfushor dhe tjetri mbrojtës, dy reparte ku kishte nevojë Vllaznia. Dhe që nga dita e djeshme, zyrtarisht ata janë pjesë e kuqebluve, pasi menjëherë kanë udhëtuar drejt Nikshiqit për t\'u vënë nën urdhërat e trajnerit Josa. Ky i fundit, në të vërtetë nuk është dukur shumë i shqetësuar nga forma e tyre fizike, ngaqë të dy ata kanë qenë në aktivitet deri para pak ditësh. Të pyetur se pse zgjodhën Vllazninë për sezonin e ri, Belisha dhe Kapaj kanë thënë njëzëri: "Me këtë skuadër kërkojmë titullin kampion sezonin që vjen." Në të vërtetë, përpjekjet për këtë gjë janë duke u bërë dhe presidenti Fushaj nuk po i kursen paratë. Ai arriti t\'ia marrë kolegut Bizhdili mesfushorin Belisha, megjithëse presidenti i Besës e konsideronte pjesë të skuadrës kavajase edhe për sezonin e ri. Joshja financiare, por edhe thirrja që i bënte skuadra e zemrës, e kanë detyruar mëngjarashin 27-vjeçar t\'i thotë "Po" Vllaznisë.
"E kisha deklaruar se do të vendosja mes Besës dhe Vllaznisë, por në fund ishte kjo e fundit që më tërhoqi më tepër. Arsyet pse ndodhi kështu ishin të shumta. Në radhë të parë ishte ajo financiare, pasi presidenti Fushaj m\'i plotësoi të gjitha kërkesat. Së dyti, ishte edhe ftesa që më bënte vazhdimisht drejtori teknik i këtij klubi, Edi Martini, i cili është edhe një mik i imi, por edhe kolegë të tjerë te kjo skuadër. Pastaj, Vllaznia është skuadra ime e zemrës, skuadra e qytetit tim dhe kështu që vendosa të vishem sërish kuqeblu. Njëkohësisht, ruaj respektin më të madh për ekipin e Besës, presidentin Bizhdili dhe gjithë njerëzit e tjerë të klubit kavajas, që gjatë një viti më qëndruan afër. Tashmë jam pjesë e Vllaznisë dhe shoh se këtu ka një seriozitet të madh sa i takon punës për të ndërtuar një ekip pretendent për titull. Kjo ishte një tjetër arsye që më bëri të kthehem në shtëpi," ka sqaruar Belisha. Nga ana tjetër, një kthim është edhe ai i Kapajt, sepse ai ka luajtur edhe dy herë të tjera me Vllazninë. Mbrojtësi 28-vjeçar është ndjerë mirë dje, kur është nisur drejt Malit të Zi për t\'u bashkuar me skuadrën në stërvitje. Para nisjes ai ka thënë: "Kam luajtur edhe dy herë të tjera për Vllazninë, por pa arritur dot të shpallem kampion me të. Tani është e treta e vërteta. Shoh se presidenti Fushaj ka bërë një investim shumë të madh, duke sjellë lojtarë cilësorë dhe me këtë ekip ne vërtetë mund të pretendojmë për trofe." Kësisoj, kuqeblutë ndjehen edhe më të plotë në kontigjentin e tyre, jo vetëm me numër lojtarësh, por edhe me cilësi, çka e bën këtë ekip vërtetë pretendent për sezonin e ardhshëm.

Sporti Shqiptar

Komentet