E thotë këtë fjali që në fillim futbollisti shkodran, Safet Osja, i cili mendon se, nëse ky kontigjent do të jetë i plotë edhe në kampionat, atëherë Vllaznia do jetë pretendente serioze për fitimin e trofeve. Kapiteni i kuqebluve, Safet Osja, nga Nikshiqi, përmes telefonit, shprehet i kënaqur me punën që është bërë deri më tani gjatë fazës përgatitore, që është njëkohësisht një garanci për të ardhmen. "Kemi punuar shumë mirë. Janë zbatuar të gjitha planet stërvitore, që kishte hartuar trajneri Josa dhe kjo na bën të ndjehemi të fortë. Kuptohet që tashmë nuk na bën më përshtypje lodhja e muskujve, sepse kemi hyrë në fazën e fundit të stërvitjeve me ngarkesë. Gjërat besoj se kanë shkuar mirë dhe kjo ka për t'u vërtetuar sapo të fillojë kampionati," - thotë më tej Osja. Ai flet qartë nisur edhe nga përvoja e madhe që ka mbi supet e tij. Ky futbollist është shpallur tri herë kampion i vendit, dy herë me Vllazninë dhe më pas me Elbasanin, kështu që e di mirë se kur një skuadër është në gjendje të pretendojë titullin. Skuadra aktuale shkodrane, sipas tij, është e aftë për ta pretenduar diçka të tillë, sepse me afrimet e fundit në rradhët e saj, është rritur konkurrenca dhe ky është një tregues i mirë. "Kanë ardhur lojtarë cilësorë së fundmi. Ata e kanë rritur forcën e skuadrës dhe këtë e shohim edhe në stërvitje. Tek Vllaznia është krijuar një grup prej 15 16 futbollistësh cilësorë, pa harruar këtu edhe të rinjtë, të cilët japin siguri për skuadrën. E rëndësishme është që Leandro dhe Delain, dy pika të forta për ne, t'i zgjidhin sa më parë problemet që kanë me skuadrat e mëparshme dhe të jenë me ne që në nisje të kampionatit. Nëse kjo realizohet, keni për të parë një Vllazni vërtet shumë të fortë,"ka shtuar Safeti. Kuqeblutë do të jenë edhe tri ditë të tjera në Nikshiq dhe të premten pritet të kthehen në Shkodër për t'u ambientuar me klimën dhe gjithçka tjetër, në mënyrë që të bëhen gati për ndeshjen e hapjes së kampionatit, atë me Elbasanin. Duke folur në lidhje me këtë fakt, Osja e ka të qartë se i pret një ndeshje shumë e vështirë, prandaj thekson: "Në Elbasan do të kemi një ndeshje shumë të fortë, sepse ekipi i këtij qytetit ka pretendime në këtë kampionat, pa harruar që do të ketë edhe një mbështetje të fuqishme nga tifozët e tij, të cilët unë i njoh mjaft mirë. Megjithatë, e rëndësishme do të jetë që ne të bëjmë lojën tonë dhe, nëse e arrijmë këtë, besoj se nuk kemi për të dalë pa pikë nga ai takim." Këtë gjë e thotë Osja, njeriu që vazhdon të mbajë shiritin e kapitenit të Vllaznisë, deri në momentin që do të bëhet votimi i deklaruar nga ana e trajnerit Josa. Mesfushori do ta mbajë këtë post simbolik deri sa të mbarojë "afati i Moisiut", siç thotë ai me të qeshur në fund, kur shprehet: "Vazhdoj të jem ende kapiteni i Vllaznisë, derisa të mbarojë afati i Moisiut dhe të bëhet votimi për të zgjedhur kapitenin e ri të saj." Humori kësisoj duket gjithnjë i pranishëm në kampin shkodran, dhe ky është një tjetër tregues, që vërteton më së miri faktin se harmonia është një nga pikat më të forta të kuqebluve.

Sporti Shqiptar

Komentet