Dëmtimi i pësuar në sezonin e kaluar e ka detyruar portjerin e Vllaznisë, Erind Selimaj, të qëndrojë për disa muaj larg fushave të lojës. Por jo vetëm kaq, ai nuk ka mundur të udhëtojë me ekipin shkodran drejt Sllovenisë, aty ku do të zhvillohet faza përgatitore për një periudhë prej 12 ditësh.
Në një prononcim për SHKODRA PRESS, Selimaj flet për fazën e rikuperimit dhe datën se kur mund të rikthehet te ekipi i Vllaznisë. “Nuk kam marrë pjesë me ekipin në fazën përgatitore në Slloveni, pasi për momentin jam në fazën e rikuperimit, nga operacioni që kam bërë prej dëmtimit që kam pasur në sezonin e kaluar. Mendoj se nga data 20 Gusht do të filloj vrapimet dhe pastaj në Shtator mund të jem i gatshëm për ekipin.” – shprehet Selimaj.
Në lidhje me kontratën që ka me ekipin shkodran, Selimaj thotë: “Kontrata e sezonit të kaluar ka qenë për dy vite me të drejtë rishikimi për anën financiare, por unë kam rënë dakort me drejtuesit e klubit për vazhdimin e asaj kontrate dhe nuk kemi lëvizur asnjë pikë.” Ndër të tjera, i pyetur për afrimin e portjerit malazez Dragojeviç, Selimaj thekson se konkurrenca nuk e tremb aspak dhe do të punojë fort për të qenë portjeri i parë i Vllaznisë. “Afrimi i Dragojeviç nuk më shqetëson aspak, sepse mua konkurrenca nuk më tremb. Përkundrazi, më bën akoma më të fortë për tu rikthyer aty ku isha. Besoj se me punë dhe përkushtim do të bëj maksimumin për të qenë portjeri i parë i Vllaznisë. Por, dua t’ju them se jo çdo gjë është në dorën time, sepse është trajneri ai që vendos për formacionin. Edhe sezonin e kaluar sollën një portjer italian, por lujta unë në formacionin bazë dhe kështu do të ndodh edhe këtë sezon sapo të rikthehem, pavarësisht se më pret një sfidë e fortë.” – u shpreh 26-vjeçari i portës shkodrane.
Në fund, ai pranon se ka pasur disa kontakte me ekipe të Kampionatit Shqiptar, si edhe me ekipe të huaja, por nuk ka lëvizur, sepse kërkon të jetë përsëri pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin e ri.
Selimaj aktivizohet me ekipin e Vllaznisë që nga sezoni 2013-2014, ndërsa më parë ka qenë pjesë e ekipit të Tërbunit të Pukës (3 sezone), Luftëtarit të Gjirokastrës (1 sezon) dhe Adës së Velipojës (1 sezon).

 

Denis Bajraktari
Shkodra Press

Komentet