Vetëm pak orë pushim dhe relaks pas fitores së arritur me Tërbunin dhe te Vllaznia kanë nisur menjëherë të mendojnë për sfidën e radhës me Tiranën. “Oreksi” i kuqebluve tashmë ka ardhur duke u rritur dhe natyrisht që ata mendojnë se mund t’ia dalin të marrin pikë, madje edhe fitoren, ndaj bardhebluve. Edhe këta të fundit nuk po kalojnë një moment të mirë, kjo shoqëruar edhe me shkarkimin e trajnerit Muça dhe në këtë pauzë, duket se edhe ata ashtu si shkodranët do të drejtohen në këtë përballje direkte nga trajnerë provizorë.

Megjithatë, në kampet respektive mund të ketë edhe lëvizje të tjera. Në Shkodër janë duke menduar tashmë vetëm për ndeshjen me Tiranën. Pritet të ketë një organizim të tifozëve të Vllaznisë. Grupimi “Vllaznit Ultras”, që e ka mbështetur skuadrën në dy takimet e fundit, ndonëse në një numër jo të madh, ka premtuar se të shtunën do të jetë shumë herë më e madhe në numër. Kuptohet, nisur nga rëndësia e ndeshjes, por edhe nga “inatet” e vjetra me tifozërinë rivale. Në mbështetje të tyre do të vazhdojë të jetë edhe klubi Vllaznia, i cili pritet të vërë në dispozicion të tyre tre apo katër autobusë për udhëtimin drejt Pukës.

Edhe numri i tifozëve pukjanë në mbështetje të kuqebluve në këtë ndeshje pritet të jetë më i madh sesa në takimet e tjera. Që dje, ka pasur konstatime dhe deklarime se tifozë nga ky qytet, por edhe nga Fushë-Arrëzi dhe që janë tifozë të Vllaznisë, fundjavën e ardhshme do të jenë në “Ismail Xhemali” për të mbështetur këtë skuadër ndaj rivalit të saj të përhershëm, Tiranës. Megjithatë, kampi kuqeblu për momentin duket të jetë i përqendruar te sfida e Kupës që do të zhvillojë ditën e mërkurë në Fier ndaj Apolonisë dhe ku duhet vazhduar seria e rezultateve pozitive.

 

Komentet