Ajo çfarë po ndodh tek ekipi shkodran, sa u takon dëmtimeve të lojtarëve, duket disi e papranueshme. Në momentet më të rëndësishme të kampionatit, Vllaznia ka në çdo ndeshje tre, katër apo pesë lojtarë të dëmtuar. Trajneri Cungu në njëfarë mënyrë ka shigjetuar trajnerët e mëparshëm për “shtrydhjen” që u kanë bërë futbollistëve, duke i aktivizuar madje edhe të dëmtuar, përmes gjilpërave apo medikamenteve, por në fakt kjo nuk zgjidh asgjë. Edhe për takimin e nesërm, ndaj Tiranës, i padisponueshëm për trajnerin Cungu do të jetë mbrojtësi i djathtë, Polizoi Arbri.

Ai nuk është zhveshur fare për t’u stërvitur sot, por është parë të bisedojë me administratorin Gjyrezi dhe fizioterapistin Haxhaja. Dëmtimi i tij në gju duket problematik dhe me shumë mundësi, nëse ai nuk rikuperohet edhe për pak kohë, nuk përjashtohet mundësia e një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në seancën e sotme, ndërkohë, edhe mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, sërish ka zhvilluar stërvitje individuale, sepse ka përsëri probleme me kaviljen. Me shumë të ngjarë edhe ai nuk do të jetë i gatshëm për lojë nesër. Por jo vetëm kaq.

Sulmuesi Arenc Dibra, mesfushorët Ardit Krymi e Ambroz Kapaklija, mbrojtësi Denis Pjeshka, kanë edhe ato shqetësime muskulare. Kjo ka bërë që stafi teknik të mos e ketë shumë të qartë se me çfarë formacioni do të luajë nesër. Edhe në Pukë, në takimin e fundit, ishte e njëjta situate, ku për shkak të mungesës së disa lojtarëve, kapiteni Shtubina u “adaptua” në rolin e mbrojtësit të djathtë. Por, nëse me Tërbunin çdo gjë kaloi me sukses, pavarësisht këtyre mungesave, ende nuk mund të thuhet nëse do të ndodhë kështu edhe ndaj Tiranës apo jo.