Vllaznia ka plot 10 vite që nuk fitonnë fushën e Gjirokastrës. Edhe pse në dekadën e fundit shkodranët kanë luajtur vetëm 4 ndeshje në transfertë kundër Luftëtarit, duke qenë se bluzinjtë nuk kanë milituar rregullisht në Superiore, sërish vihet re një bilanc negativ.

Për herë të fundit, kuqeblutë kanë fituar në Gjirokastër më 17 mars të vitit 2007, kur në atë kohë Vllaznia drejtohej nga Mirel Josa. Ndeshja ka përfunduar 0-1, falë një goli të Suad Licit. Në atë sezon, Luftëtari zbriti një kategori më poshtë, ndërsa Vllaznia siguroi pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Që prej fitores së fundit, shkodranët kanë luajtur edhe tri ndeshje të tjera në transfertë gjirokastrite, teksa kanë humbur një herë me shifrat 2-1 më 23.02.2013 dhe kanë barazuar dy herë (1-1 dhe 0-0) në ndeshjet e vlefshme për kampionatin e kaluar. Duket se ka ardhur momenti që të thyhet në njëfarë mënyre tersi në këtë transfertë për Vllazninë.

Shkodranët nuk po kalojnë një moment të mirë, pasi u tronditën nga humbja në shtëpi kundër Teutës. Nga ana tjetër, Luftëtari vjen pas një fitoreje të madhe në transfertë ndaj Laçit, skuadrës që në javën e parë kishte thyer Partizanin.

HASANI-VUCAJ-RIBAJ, STËRVITJE EKSTRA

Cungu deklaroi pas ndeshjes me Teutën se disa prej lojtarëve nuk janë në gjendje të mirë fizike, nisur nga fakti se iu bashkua vonë skuadrës në fazën përgatitore. Bëhet fjalë për Erjon Vucajn, Edon Hasanin dhe Andi Ribajn, të cilët ende nuk kanë arritur formën maksimale për të luajtur 90 minuta me fanellën kuqeblu.

Në këto kushte, pas diskutimeve me stafin teknik, mësohet se Vucaj, Hasani dhe Ribaj, do të kryejnë çdo ditë nga dy seanca, deri në arritjen e formës optimale. Pritet që paraditen e sotme tre lojtarët të dalin në stërvitje, të udhëhequr nga zv.trajneri Maxhar.

Gjithashtu të pranishëm do të jenë edhe portierët Selimaj e Sherri. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e plotë vetëm në seancën e pasdites. Vllaznia luan të shtunën një transfertë delikate, ku minimalisht nuk duhet të dalë pa pikë. Pas mbledhjes që drejtuesit bënë me ekipin dy ditë më parë, futbollistët kanë premtuar kthesën në Gjirokastër.

 

Panorama Sport

Komentet