Jashtë merkatos shkodrane, që ka filluar të lëvizë vendit, natyrisht nuk ka si qëndron as trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa. Madje është ai që ka paraqitur te presidenti Fushaj listën me lojtarët që dëshiron të ketë në skuadër për sezonin e ardhshëm dhe numri 1 i klubit ka filluar ta ekzekutojë atë. Por ndërkohë disa komente të bëra dy ditët e fundit në shtyp, duket se e kanë "nxehur" paksa trajnerin e kuqebluve. Pikësëpari, Josa ka dashur të sqarojë se emri i brazilianit Leandro, për të cilin është aluduar se e ka kërkuar në skuadër, nuk bën pjesë në atë listë. "Kam lexuar në shtyp se Leandro pëlqehet nga unë dhe kam dhënë "ok" in për ta marrë. Dua të sqaroj se me dëshirën time ky lojtar nuk vjen te Vllaznia.

E pëlqej jashtëzakonisht shumë për aftësitë e tij, por nuk dua në skuadër lojtarë që qëndrojnë dy muaj dhe më pas largohen, duke të prishur shumë plane. Pa përmendur pastaj faktin tjetër se ai asnjëherë nuk e ka zhvilluar fazën përgatitore me ekipin, prandaj ka pasur probleme fizike në vazhdim. E thashë se si lojtar më pëlqen dhe këtë vlerësim kam pasur që në kohën kur pati ardhur në fillim te Dinamo, por më pas ai tregoi se është i paqëndrueshëm dhe u ka shkaktuar jo pak probleme ekipeve ku ka luajtur. Duke qenë kështu, përgjigjja ime për këtë lojtar është "Jo". Madje këtë mendim kam jo vetëm për këtë lojtar, por për të gjithë lojtarët me ngjyrë në përgjithësi. Ata nuk janë të qëndrueshëm dhe si rrjedhojë nuk mund të presësh shumë prej tyre,"ka thënë dje përmes telefonit Josa. Sakaq, po përmes shtypit dhe më konkretisht gazetës "Sporti shqiptar", në dy ditët e fundit janë botuar intervista me Sinën dhe T.Osmanin, dy lojtarë të kërkuar nga shkodranët në këtë merkato.

Por të dy ata lojtarë nuk janë shprehur shumë të gatshëm për të ardhur te Vllaznia, por pa i mbyllur derën asaj. Mirel Josa ka dalë hapur edhe kundër mënyrës së lutjes për t'i marrë në skuadër këta lojtarë, prandaj shton: "Nëse ata vërtet nuk e respektojnë ofertën e Vllaznisë, edhe Vllaznia nuk do t'i respektojë ata. Nuk kemi pse marrim lojtarë me zor në skuadër. Unë e kam thënë edhe para disa ditësh se kjo është periudha më e vështirë e futbollit shqiptar. Futbollistët nuk janë shumë të qartë se kur duhet t'i firmosin kontratat, por i mbajnë gjërat pezull për shumë kohë, duke i vënë në vështirësi të madhe presidentët e ekipeve." Sakaq, një tjetër problem i dalë sërish ditët e fundit është edhe ai i kandidaturës së Ilion Likës për portën e Vllaznisë.

Josa ka shpjeguar se ai personalisht, apo dhe pjesëtarë të stafit të tij, nuk janë shprehur se skuadra ka nevojë për portierë. "Në një bisedë që kam pasur me trajnerin e portierëve, Avenir Danin, kemi thënë se ndër 4 portierët më të mirë të kampionatit të kaluar ishte edhe Grima, që u paraqit shumë mirë. Duke qenë kështu, nuk mund të mendojmë se duhet të sjellin në skuadër portierë të tillë, si Lika, Hidi apo Nallbani. Ne duhet t'i besojmë Grimës, ashtu siç duhet të kemi më tepër besim te portieri i Shpresës, Bishani,"e mbyll prononcimin e tij trajneri i kuqebluve, Mirel Josa.

Komentet