Humbja 0-1 e së shtunës ndaj Dinamos i ka turbulluar disi ujërat në kampin shkodran, por, megjithatë, është trajneri Agim Cana ai që kërkon të “mbysë” çdo lloj dramaciteti dhe garanton të gjithë se edhe në javën e fundit të sezonit 2008-2009 do të jenë ata kampionët.

 

Sipas tij, duhet parë vetëm përpara, duke shpresuar besimin e tij të plotë se shkodranët do të vazhdojnë të jenë të parët deri në javën e fundit të sezonit.

“Duhet të shohim përpara. Gjatë pjesës së parë të sezonit kemi pasur një kontingjent të reduktuar lojtarësh, madje një pjesë e tyre nuk kanë qenë në gjendjen e tyre maksimale dhe ju e patë edhe vetë në ndeshjen me Dinamon, por edhe në javët e kaluara, se kemi pasur shumë dëmtime.Mjaft futbollistë nga java në javë kanë sakrifikuar, duke u vendosur në pozicione të ndryshme, jo në atë natyral. Pavarësisht humbjes me Dinamon, së cilës unë ia di vlerat dhe nuk duhet të harrojmë se është kampionia në fuqi e vendit, kjo nuk na i zbeh aspak vlerat tona.Kemi zhvilluar një pjesë të parë të sezonit të shkëlqyer dhe kjo ka rëndësi për ne, që tani jemi në vend të parë dhe të festojmë vitin e ri kështu. Jemi të parët dhe kam bindjen se këtë pozicion do ta ruajmë deri në javën e fundit të sezonit”, ka thënë në fillim numri një i pankinës së Vllaznisë.

Por për Canajn skuadra e tij ka nevojë urgjente për përforcime në të gjitha repartet.

Komentet