Vllaznia gjen “part nerin” e Vioresin Sinanit në sulm. Të paktën nga burime të sigurta pranë klubit kuqeblu, mësohet se shanset më të mëdha për të vazhduar nga lojtarët që janë në provë, i ka sulmuesi serb, Dushan Popoviç. Ai ka treguar një formë të mirë, duke bindur kështu edhe stafin teknik, me në krye Hasan Likën. Popoviç ka qenë pjesë e Nadricas në Bosnje, Admira Vakerit në Austri, Napredakut në Ukrainë dhe së fundmi, ka mbërritur në Shkodër nga Rubek i Rumanisë. Malazezi shikohet si një alternativë e mirë përkrah kapitenit të kuqebluve në vijën e parë, por gjithsesi ende nuk është ndarë asnjë gjë me “thikë”. Pranë ekipit pritet të mbërrijë edhe një lojtar afrikan, i cili ndoshta është konkurrenti më i fortë i Popoviçit, për një vend në krah të Sinanit.

Prurjet

Brenda pak ditësh në Shkodër kanë mbërritur një numër i konsiderueshëm të huajsh, nga Mali i Zi dhe Serbia, por që vetëm njëri prej tyre e ka 100% të sigurt se do të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Ai është pikërisht malazezi 23-vjeçar, Bllazho Rajoviç. Qendërmbrojtësi i ka bindur shkodranët që në momentet e para, kur ata e kanë parë të luajë me Buduçnostin e Podgoricës. Po ashtu edhe afrimi i një mesfushori të talentuar, si Enkel Alikaj është konsideruar si shumë me vlera për nevojat e kuqebluve.

Dilemat

Ekipi shkodran në këtë periudhë është mes shumë pikëpyetjesh, teksa ka disa lojtarë që pritet të vijnë, e po aq që do të largohen. Pranë kuqebluve ka disa emra që nuk dihet nëse do të vazhdojnë apo jo rrugën me kuqeblutë. Tri dyshimet më të mëdha dhe shumë të rëndësishme për të vazhduar me këtë ekip, të paktën edhe një sezon, janë mbrojtësi Elvin Beqiri dhe dy mesfushorët Ilir Nallbani e Ndriçim Shtubina. Të tre lojtarët janë në kontratë me ekipin kuqeblu, por të kërkuar për të lëvizur në drejtim të ekipeve turke. Ndërsa një tjetër pikëpyetje nga ana drejtuesve të klubit është nëse do të bëjnë të mundur mbajtjen e portierit Millosh Tomaniç. Deri tani asnjë prej nuk mund të thotë ndonjë gjë saktësisht, nëse Tomaniç do të vazhdojë provën e tij me ekipin kuqeblu.

Sllavët

Bllazho Rajoviç nuk është i vetmi i huaj që ka mbërritur në këtë periudhë të shkurtër pranë Vllaznisë. Përveç tij, kuqebluve u janë bashkuar dy lojtarë serbë, si portieri Millosh Tomaniç dhe sulmuesi Dushan Popoviç. Së bashku me ta ka ardhur edhe një shkodran, i cili ndodhet në Itali, Andi Demja, që ka luajtur me ekipin e Rikone Mirano. Një tjetër sulmues nga Mali i zi, si Zheljko Tomiç, ka filluar stërvitjen me shkodranët, por nuk mund të thuhet se do të jetë pjesë e Vllaznisë.

Nuk bindën

Deri më tani asnjë prej drejtuesve të klubit shkodran nuk ka deklaruar zyrtarisht se cili lojtar do të qëndrojë dhe cili do të ikë. Megjithatë, nga ajo që shikohet dhe mësohet pranë klubit kuqeblu, malazezi Zheljko Tomiç dhe shkodrani që vjen nga Italia, Andi Demja, nuk kanë bindur me paraqitjen e tyre për t’u përfshirë në listën e lojtarëve, të cilët mund t’i bëjnë punë Vllaznisë në sezonin e ri. Madje, me shumë gjasa të dy lojtarët nuk do të udhëtojnë të mërkurën drejt Mavrovës, me pjesën tjetër të ekipit, që do të kryejë minifazën përgatitore për 12 ditë.

panorama

Komentet