Post
by Skodrinon » Mon, 13 Apr 2009 , 14:49
Han, lamtumirë Shqipërisë për 30 mijë euro!
Trajneri holandez ka pranuar dorëheqjen, në kërkim të parave, për të prishur kontratën me mirëkuptim me FSHF në
Në jetë, çdo fillim e ka një fund. Ky proces është i pashmangshëm. Fundi përherë është i hidhur. Mirëpo sot, në shoqërinë e emancipuar, për të ulur dramaticitetin e këtij akti, ndërtohen skena për ta kapërcyer me sa më pak dhimbje apo humbje këtë ndarje. Një “skenar” pak a shumë i tillë është hartuar nga presidenti i FSHF së, Armand Duka, dhe bashkëpunëtorët e tij, Kasmi, Nuri dhe Hyka, në atë takim me dyer të mbyllura të së premtes së kaluar. Edhe pse në përfundim të tij, presidenti Duka nuk ka preferuar të tregojë dhe bëjë të ditur se për çka u fol në mjediset e zyrës së tij, fjalët dalin…
Sipas burimeve tepër konfidenciale, këtë javë FSHF ja dhe presidenti Duka do të presin ardhjen e trajnerit holandez të kombëtares, Ari Han, i cili, pas takimeve me drejtuesit e FSHF së, do të mbajë një konferencë për shtyp, ku do të deklarojë largimin e tij nga detyra e trajnerit të kuqezinjve. Kështu do të mbyllet edhe “telenovela” e holandezit Han, i cili, pas humbjeve me Hungarinë dhe Danimarkën, është bërë kryefjala e debateve të futbollit shqiptar.
Ky është “skenari” i lamtumirës së Hanit, që, mesa duket, do t’i ndajë të dy palët të kënaqur, si holandezin, por edhe FSHF në. Për këtë prishje të parakohshme dhe me mirëkuptim të kontratës, holandezi do të përfitojë dhe do të fusë në xhepat e tij rreth 30 mijë euro.
Me këtë “operacion”, sa financiar por edhe sportiv, FSHF ja do të largojë një trajner, i cili nuk arriti të përmbushë synimet dhe ambiciet e saj, ndërkohë që do të kursejë edhe disa mijëra euro, pasi vazhdimi i kontratës me Hanin deri në përfundim të saj, në dhjetor të 2009 s, do të kishte një kosto mbi kufijtë e 100 mijë eurove.
Presidenti Duka, në takimin në fjalë, u ka folur bashkëpunëtorëve të tij edhe për pjesën pas kuintave të këtij “skenari”. Ai u ka treguar atyre përpjekjet që ka bërë interlokutori, apo mediatori i FSHF së jashtë Shqipërisë, i cili ka marrë përsipër ta bindë trajnerin holandez për ta kryer këtë veprim. Nuk dihen saktësisht dhe me detaje “mjetet” që ai ka përdorur për t’ia mbushur mendjen Hanit, që të pranojë këtë kompromis. Bisedimet nuk kanë qenë të lehta.
Por e sigurt është që ai ka patur me vete një dosje të trashë me copëza shkrimesh nga media shqiptare, e cila e ka “kryqëzuar” dhe vënë në “grykë të topit” holandezin, si shkaktarin e dështimit të kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit 2010. Përpara kësaj trysnie, edhe pse Han dukej i vendosur për ta vazhduar punën e tij, është dorëzuar dhe ka pranuar kompromisin.
Megjithatë, në FSHF ende vazhdojnë të rrinë me zemër të ngrirë se mos holandezit i ndryshon mendja. Vetëm telefonata dhe kërkesa e Hanit, për t’i prenotuar biletën për në Tiranë, do t’i qetësojë. Nëse kjo ndodh këtë javë, atëherë ngjarjet do të zhvillohen sipas “skenarit” të mësipërm.